Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Reagime dhe një debat të ri kanë hapur akuzat e kryeredaktorit të “Zërit të Popullit” Erion Braçe, ndaj anëtarëve të kryesisë. Nga teza e ndryshimeve të kryesi është kaluar në atakime të forta për disa anëtarë. I vetmi që dha dorëheqjen dhe i vënë nga grupi në shënjestër të ndryshimeve është sekretari i marrëdhënieve me publikun Agasi, por ai ka evituar të thotë publikisht arsyet e largimit të tij nga kryesia.

Bardhyl Agasi: “Duke qenë që respektoj deri në fund forumet e partisë, mendoj që do ta shtroj problemin në KPD, që mblidhet më 2 Tetor”.

Një tjetër drejtues socialist i akuzuar për paaftësi sekretari i burimeve njerëzore Elmaz Sherifi, thotë ose puna e tij është vlerësuar mjaft dhe s’ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Elmaz Sherifi: “Janë të tjerë ata që ndërtojnë platforma, të cilët synimet i kanë më të larta, ndoshta s’janë dakord edhe me kryetarin e partisë Nano dhe pikërisht pse nuk kanë forcë që të ballafaqohen direkt me të, përdorin instrumente të tjera, për ta bërë të besueshme, meqë kanë një përvojë në fushën e medias dhe thonë, që krijohet një opinion. Mua më ngjajnë si ato lëvizjet e revolucioneve kineze, këto forma shumë të vjetra”.

Gazetarja: “Nëse do t’ua kërkonin dorëheqjen ju, do ta jepnit?

Elmaz Sherifi: “Mos e shtroni fare këtë pyetje, sepse s’ka të bëjë fare me dëshirat e individëve. Ka forume në parti, po ka dhe individë që e kërkojnë, shumë mirë le ta kërkojnë, po kjo s’do të thotë se këta janë partia dhe forumet. Puna ime është shumë e vlerësuar në parti”.

I kontaktuar me telefon anëtari i kryesisë Luan Rama, i akuzuar nga drejtuesi i organit të PS Braçe, nuk ka dashur të përgjigjet përpara kamerës, duke thënë që debati i sapo hapur nuk ia vlen dhe si duket serioze të merret me të. Njëkohësisht Luan Rama ka mohuar çdo akuzë të ngritur mbi figurën e tij.

Po kështu edhe Ministri i Transporteve e ka pasur të vështirë një kundërpërgjigje të akuzave të bëra nga kryeredaktori i “Zërit të Popullit”. Ndjekës të afërt të këtij debati por të pa përfolur janë edhe socialistë të tjerë.

Ylli Bufi: “Kemi caktuar të tjerë që të flasin për këtë çështje. Zoti Braçe s’ka qenë fare në mbledhjen e kryesisë”.

KPD e PS që do të mblidhet në 2 tetor është ai që do të vendos në do të ketë ndryshime apo jo./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti