Presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu, nuk është ftuar në ceremoninë e inaugurimit solemn të presidentit të ri të Maqedonisë, George Ivanov, nga frika se mund të provokohet presidenti serb, Boris Tadiç, njoftojnë burime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, mirëpo për shkak të mosftesës së Sejdiut inaugurimi i Ivanovit që do të bëhet më 12 Maj ka gjasa të bojkotohet nga të gjithë deputetët shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë.

Bojkot të mundshëm të kësaj ceremonie paralajmëruan madje edhe deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë shqiptare në pushtet, e cila në raundin e dytë ftoi votuesit e vet që të votojnë Ivanovin.

Zëdhënësja e kësaj partie, Mira Mehmeti, në një deklaratë telefonike për TV Klan, nuk përjashtoi mundësinë për bojkotim të inaugurimit të Ivanovit, por tha se vendimi përfundimtar do të merret të hënën, ndërkohë nënkryetarja e kësaj partie, Teuta Arifi, ka shpreh besim se deri të martën do të përmirësohet padrejtësia e bërë ndaj Sejdiut.

Teuta Arifi: “Besojmë se deri në ditën e inaugurimit protokolli i Maqedonisë do ta përmirësojë këtë gabim për arsye se në qoftë se flitet për politikë fqinjësore atëherë duhet të jenë të ftuar të gjithë presidentet e shteteve fqinje”.

Prej më herët bojkot të inaugurimit të Ivanovit kanë paralajmëruar deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare, të cilët kanë vlerësuar se ai nuk është president legjitim i shqiptarëve të Maqedonisë.

Bashkëngjitje të këtij bojkoti për shkak të mosftesës së Sejdiut kanë paralajmëruar edhe deputetët e Demokracisë së Re.

“Demokracia e Re, ne të gjithë nuk dëshirojmë që presidenti i republikës së Maqedonisë ta fillojë ditën e parë kushtimisht të punës me një vendim të tillë, i cili sigurisht që do t’i lëndojë ndjenjat dhe emocionet e një pjese të madhe të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.”

Deri tani prezencën e tyre në inaugurimin e Ivanovit e kanë konfirmuar presidentët e Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Ndërkaq as përfaqësuesit të parlamentit të Maqedonisë e as përfaqësuesit e kabinetit të Ivanovit nuk kanë dalë në sqarim zyrtar për shkaqe të mosftesës së presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu