Në qendër të polemikave është vendosur eurodeputeti Fredi Beleri, i cili propozoi një youtuber qipriot, Phidias Panagiotou, për nënkryetar të Komitetit “Mburoja për Demokracinë Europiane” në Parlamentin Europian.

Çështja mori reagime nga të gjitha palët për shkak se politikani dhe youtuberi qipriot është mbështetës i Elon Musk dhe komiteti në fjalë do të hetojë pikërisht ndërhyrjet e padrejta të Elon Musk në politikën e BE-së.

Eurodeputeti grek i SYRIZA, Kostas Arvanitis, foli për lidhje të partisë Demokracia e Re me të djathtën ekstreme, që mbështetet nga Elon Musk.

Këtë lidhje ai e bëri për shkak të propozimit që beri Fredi Beleri, si eurodeputet i Demokracisë së Re, për emrin e politikanit qipriot i cili preferohet nga Elon Musk.

Megjithatë, Phidias Panagiotou nuk arriti të zgjidhej përballë një rivali socialist.

Mirëpo, propozimi i Fredi Belerit nuk kaloi pa polemika. Për shkak të akuzave të eurodeputetit të SYRIZA, u detyrua të reagonte edhe kryetarja e eurodeputetëve të Demokracisë së Re, Eliza Vozemberg, e cila tha se nuk ishte informuar nga Fredi Beleri për këtë propozim. Ajo reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, duke thënë se propozimi i Belerit ishte personal.

Edhe vetë Fredi Beleri reagoi po në rrjetet sociale, ku sqaroi se propozimi i bërë prej tij ishte personal dhe i pakonsultuar me kolegët, duke u bazuar vetëm, siç tha ai, “në origjinën greke të Phidias Panagiotou”.

/tvklan.al