Projekti belg i Sheshit Skënderbeu është i jashtëligjshëm dhe për pasojë cenon urbanistikën dhe arkitekturën e qendrës së kryeqytetit.
Për Enver Fajën, profesor doktor në arkitekturë kryebashkiaku i Tiranës duhet të vërë në zbatim projektin francez të aprovuar, i cili sipas tij ofron zgjidhjen më të pranueshme për qendrën e Tiranës.
Në argumentin e tij, profesor Faja është njohur si projektues i një sërë veprash arkitekturore, si Varrezat e Dëshmorëve, Muzeu Historik Kombëtar, Qyteti Studenti e shumë të tjera thotë se në këtë variant që kërkon të vërë në zbatim bashkia, tre elementet e kundërshtuar me forcë, edhe nga Instituti i Monumenteve dhe Kulturës tentojnë t’i bëjnë një atentat sheshit Skënderbej.
Faja thotë se kulla që parashikohet të ndërtohet mes Hotel Tiranës dhe Muzeut Historik Kombëtar, jo vetëm cenon hapësirën monumentale të qendrës së kryeqytetit, por është një dogmë regresive simbolike e sistemit totalitar dhe është një premisë për vepra amorale.
Prof. dok. Enver Faja: “Ky është katërçipërisht i papranueshëm. Bulevardi nuk mund të mbyllet. Është hapësira monumentale më interesante, është emblemë e qytetit të Tiranës, prandaj, unë me të drejtë e kam quajtur si një atentat që i bëhet qendrës së Tiranës. Këtë e aprovuam, këtë ta çojmë deri në fund. Ky është i paaprovuar, ky është i pazbatueshëm ligjërisht dhe estetikisht ky për mendimin tim jashtë çdo estetike hapësire urbane. Nuk ka të drejtë të cenohet plani që është aprovuar. Është kjo kulla këtu që është shënuar hapësira monumentale, duhet dënuar. Është një, është një hap i rrezikshëm, nuk duhet pranuar në asnjë mënyrë kjo. Do ketë funksione të pjesshme të bashkisë së qytetit, ku njerëzit bëjnë festën e ceremoninë e fejesës, e martesës, edhe dalin jashtë në këtë kullë, edhe shohin Tiranën, duke i premtuar njëri-tjetrit se do jetojmë në një qytet të bukur, siç është Tirana. Këto janë dogma të cilat nuk qëndrojnë, nuk ndërtojnë hapësira. Janë dogma të cilat nuk japin, nuk prodhojnë asgjë. Janë po të njëjtat gjëra që janë bërë në komunizëm. Po mburren të them për këto gjelbërime që vendosen në këto hapësira të vogla. Duke iu referuar një amerikani të madh sociolog, Zhan Zhakops, i cili thotë që hapësirat e gjelbra të vendosura në skuta, të gjelbëruara dhe jo të ndriçuara janë premisa për delikuencë rinore. Janë të rrezikshme për veprime abuzive, morale.
Por profesor doktor Faja shprehet se një tjetër atentat i rëndë që tenton t’i bëhet qendrës së kryeqytetit është dhe sipërfaqja piramidale që synon, sikundër shprehet ai, të varfërojë me pellgje ujë hapësirën në shesh.
Prof. dok. Enver Faja: “Vëmë këtu një sipërfaqe, e cila për fat të keq është cilësuar dhe si piramidë, për arsye se këtu duhet të hypë banori, diviza e kësaj, që të thërrasë tiranasit se këtu jam i lirë. Këto janë dogma që nuk pranohen. Këtu vetëm se pellgje uji shohim, edhe shatërvane që shkojnë në kohë të nxehta vajzat dhe djemtë dhe bëjnë dush. Ky është funksioni i qendrës së qytetit?”
Ndërsa në lidhje me kullën tjetër që do të ndërtohet në vendin e ish-bustit të diktatorit Hoxha, profesor Faja sjell në vëmendje argumentin se në vitet e para të post-komunizmit, një projekt i ngjashëm është hedhur poshtë, ndaj s’ka si të marrë udhë një variant i ngjashëm në projektin belg.
Prof. dok. Enver Faja: “Këtu, tamam në këtë pozicion, u vu VEVE Center, një ndërtesë që është pak a shumë sa kjo kulla, VEVE Center. Atë e hodhëm poshtë neve. Pse i kthehemi këtyre provave që janë të dëmshme, që një herë i kemi rrëzuar dhe i kthehemi? Po të njëjtën gjë bëjmë këtu, nuk është e drejtë.”
Arkitekti sqaron se përpara se bashkia të vepronte për të vërë në zbatim projektin belg, duhet të kishte angazhuar në debat jo vetëm komunitetin e kryeqytetit,por t’i ishte nënshtruar një diskutimi të hapur në radhët e arkitektëve dhe urbanistëve./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro