Nikollë Lesi: “Unë si botues jam i gatshëm, jo si deputet, por si botues që të përballem me zotin Nano në sallën e Gjykatës së Tiranës në dyert e Prokurorisë së Tiranës për këtë akuzë që ka bërë ai.”

Ky është reagimi i botuesit të gazetës “Koha jonë”, Nikollë Lesi, pas deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë Ylli Manjani, se do ta hedh gazetën e tij në gjyq. Sipas Lesit kryeministri Nano ka shkelur ligjin, pasi vendimi i aprovuar nga qeveria nuk përputhet me nenin 100 të Kushtetutës.

Nikollë Lesi: “Ka shpërdoruar detyrën zyrtare zoti Nano, duke përvetsuar 5 paga mujore të tijat, pasi ai nuk ka qënë ligjërisht as anëtarë i komisionit të vlerësimit të ofertave për Bakën e Kursimit, kanë qënë të tjerë. Për çfarë ka shpërblyer ky, për punë part time.”

Botuesi i “Koha jonë” ka deklaruar se do të vazhdojë të botojë dokumenta të tillë. Më tej Lesi ka hedhur dyshime se në linjën e autobusave Tiranë-Athinë, transportohen lëndë narkotike.

Nikollë Lesi: “Do të dokumentoj edhe një dokument tjetër që pres të vij sot për linjën e autobusave Tiranë-Athinë, kush e ka dhe çfarë transporton nga interpoli. Çfarë mielli transportohet, miell buke apo miell tjetër.”

Si deputet ai do të kërkojë interpelancë me Ministrin e Financave Arben Malaj dhe zbardhjen e mbledhjes së qeverisë ku është aprovuar ky vendim. Në lidhje me këtë çështje ka reaguar kryetari i komisionit të ligjeve Spartak Braho, ai e konsideron të paligjshëm vendimin e qeverisë për të shpërblyer me 5 rroga kryeministrin dhe stafin e tij të ngushtë.

Spartak Braho: “Do ta konsideroja këtë çështje një shpërdorim klasik të detyrës, duke i sygjeruar atyre që ti kthejnë lekët shqiptarëve.”/tvklan.al