Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Forcat e rendit në helikopter kanë qëlluar me armë zjarri në Lazarat. Këtë fakt prezantuan përfaqësuesit e Partisë Demokratike në konferencën për shtyp përmes pamjeve filmike të xhiruara nga një kamera amatore.

Sokol Olldashi: “Ngjarja e Lazaratit shëmbëllen me një ngjarje të planifikuar, e cila kishte si qëllim një gjakderdhje të madhe, të porositur nga kryeministri Fatos Nano dhe të ekzekutuar me përkushtim kriminal nga Ministri i Rendit Igli Toska dhe grupi i sigurimit të shtetit në Ministrinë e Rendit Publik. Është qëlluar me armë zjarri nga porta e helikopterit. Igli Toska në komunikatën e tij deklaron se helikopteri po kalonte transit nga Saranda në Gjirokastër dhe fluturoi mbi Lazarat mbi lartësinë 400 metra, kur u qëllua nga banorët. Imazhet që ne ju shfaqëm dhe që do ua detajojmë përsëri më vonë, tregojnë dhe vërtetojnë dëshmitë e banorëve që përjetuan tmerrin e vërtetë, se helikopteri është vërsulur drejt shtëpisë së kryetarit të komunës duke fluturuar pak metra” mbi çati dhe duke qëlluar në drejtim të saj dhe për më tepër që helikopteri është kthyer tre herë mbi shtëpinë e kryetarit aktual të komunës. Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet pa asnjë mëdyshje të gjitha përpjekjet dhe përdorimin e të gjitha metodave efikase ligjore, të çrrënjosjes së plotë të prodhimit dhe trafikimit të drogës kudo dhe në çdo vend të Shqipërisë”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj