Gerti Bogdani: “Zoti Rama  pohoi sot shqiptarëve se boshti i politikës së tij të re është “rroftë e liga, poshtë Shqipëria”. Pikërisht sot në ditën kur Banka Botërore, institucioni më serioz i planetit e shpall Shqipërinë vendin e dytë në botë për nga rritja ekonomike e vitit për periudhën maj 2007-maj 2008, zoti Rama sikur të ishte qytetar i Abkazisë dhe jo i Shqipërisë nëpërmjet gazetës së tij shpif në mënyrë të papërgjegjshme dhe hedh baltë mbi Shqipërinë.

Partia Demokratike e dënon këtë qëndrim të padenjë, të papërgjegjshëm jo vetëm anti reformë, por anti kombëtar të zotit Rama dhe fletushkës së tij. Nga paaftësia apo nga keqdashësia, fletushka e zotit Rama shkruan sot se Shqipëria është përmirësuat nga vendi 136 në 178 ndërkohë që raporti i Bankës Botërore tregon se Shqipëria është përmirësuar nga vendi 135 në vendin e 86 duke lënë pas vende fqinj si Serbia, Greqia, Mali i Zi apo dhe Kroacia.

Së dyti po sot në fletushkën e tij zoti Rama, vazhdon serinë e shpifjeve dhe të trillimeve të ulëta ndaj kryeministrit, duke shkruar se djali i tij ka qenë në Bosnje, si ndërmjetës i Delijorgjit. Kjo është një shpifje dhe trillim i karakterit më të ulët të atyre që kanë ndarë dhe ndajnë paratë e krimit dhe të korrupsionit me Delijorgjin. Djali dhe familjarët apo të afërmit e kryeministrit nuk kanë asnjë lidhje me aferat e Delijorgjit, apo delijorgjve dhe nuk kanë qenë asnjëherë dhe për asnjë detyrë në republikën e Bosnje-Hercegovinës.”/tvklan.al