Realizohet me sukses operacioni i parë në Shqipëri për rikthimin e zërit tek pacientët që kanë hequr laringun për shkak të kancerit.
Deri më tani me dhjetëra pacientë kanë humbur përgjithmonë zërin pas operacionit. Kjo është një traumë për këta njerëz që nuk mund të flasin.
Veli Gjokla është 52 vjeç dhe prej tetë vjetësh nuk mund të flasë. Ai mund të komunikojë vetëm kështu.
“Është një traumë për një person që nuk arrin të komunikojë. Nëse i rikthen zërin është një mrekulli. Nuk paguhet, nuk paguhet.”
Mjekët e shërbimit ORL i kanë dhënë fund kësaj traume të kryesuar nga kirurgu otorinolaringolog, Besim Boçi. Ata kanë realizuar operacionin për vendosjen e protezës, e cila zëvendëson laringun dhe bën të mundur rikthimin e zërit.
Qiriako Dama është pacienti i parë, i cili pas dy vjetësh mund të flasë falë operacionit.
Besim Boçi: “Është një protezë silikoni. Është shumë e vogël. Zëvendëson laringun për nga ana funksionale, pra e bën të sëmurin që të flasë”.
Realizimi i këtij operacioni kërkon edhe ndihmën financiare të shtetit, pasi proteza që kushton 550 euro duhet ndryshuar çdo vit.
Besim Boçi: “Sepse pastaj fillon konsumohet valvula dhe i sëmuri ka dalje të ushqimeve nga ezofagu në rrugët e frymëmarrjes. 50 raste në vit neve na duhen mesatarisht 1 mijë euro për pacient. Me 50 mijë euro ne arrijmë që ta mbulojmë të sëmurin për një periudhë gati 2-vjeçare”.
Operacioni për heqjen e laringut dhe vendosjes së protezës së silikonit për të rikthyer zërin kryhet tek të gjithë ata persona që kanë tumore të avancuara në laring./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami