Familja e Presidentit sirian, Bashar al-Assad dyshohet se është larguar nga vendi pak ditë pasi rebelët morën Alepon dhe teksa janë afruar në rrethinat e kryeqytetit Damask.

Lajmi raportohet nga gazeta “Wall Street Journal”, e cili shkruan se gruaja me origjinë britanike e Presidentit Asma al-Assad së bashku me tre fëmijët e tyre janë larguar nga Siria në Rusi javën e kaluar. Ndërsa, dy nga dhëndrit e Asadit thuhet se janë zhvendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Është e paqartë se ku ndodhet vetë Assad edhe pse në një deklaratë, Presidenca i hodhi poshtë lajmet për largimin e tij duke i quajtur të pavërteta.

Kombet e Bashkuara kanë nisur evakuimet urgjente nga kryeqyteti sirian Damask, i cili po sulmohet nga 2 anë prej rebelëve. Këta të fundit, thanë të shtunën se morën kontrollin e qytetit jugor Daraa, pasi më parë ushtria e Asadit ra dakord për një tërheqje të rregullt nga qyteti.

Videot në rrjetet sociale treguan rebelët me motoçikleta dhe persona të tjerë që festonin duke qëlluar në ajër në shesin kryesor të qytetit ku rrëzuan një tjetër statujë të babait të Presidentit sirian Bashar al-Assad, Hafez al-Assad.

Tv Klan