Pavarësisht se kërkoi ndjesë për vendimin në lidhje me ligjin ushtarak, Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, thotë se e ndërmorri këtë veprim për të mbrojtur demokracinë e vendit.
Në fjalimin televiziv të radhës Yoon nuk dha sinjale se ka plane për të dhënë dorëheqje kur ndodhet pak ditë para votimit të dytë për shkarkimin e tij, seancë e planifikuar për tu mbajtur të shtunën.
“Ne duhet të parandalojmë forcat dhe grupet kriminale që kanë paralizuar administratën qeveritare. Pavarësisht nëse fajësohem apo hetohem, unë jam gati për tu përballur me gjithçka. Do të luftoj deri në fund”.
Ai tha se kishte dërguar trupa në Asamblenë Kombëtare për të siguruar rendin në rast se do organizoheshin protesta masive dhe mohoi përpjekjet për të penguar ligjvënësit të ushtrojnë detyrat e tyre. Presidenti dhe aleatët e tij po hetohen për kryengritje, dhe disa prej tyre janë ndaluar që të largohen nga Koreja e Jugut.
Shumë nga anëtarët e kabinetit të Yoon dhe zyrtarët më të afërt kanë dhënë dorëheqjen.
Që nga vendimi i presidentit të Koresë së Jugut për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ushtarake, mijëra koreano-jugorë kanë organizuar protesta duke kërkuar dorëheqjen e Yoon.
Klan News