Referendumi për ndryshimin e emrit të Maqedonisë mund të realizohet që në vjeshtë, gjerësisht në fillim të muajit Tetor në rast se partnerët kryesorë në koalicionin qeveritar VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim pajtohen rreth pyetjes se referendumit.

Kështu njoftojnë për TV Klan burimet qeveritare shqiptare. Zyrtarisht në BDI vlerësojnë se kompromise rreth emrit të Maqedonisë mund të arrihet pa referendum, mirëpo burime partiake shtojnë se ata mund ta përkrahin në insistimin e partnerit të tyre të koalicionit VMRO-DPMNE që për ndryshimin e emrit fjalën kryesore ta thonë qytetarët, vetëm në rast se në pyetjen e referendumit përmendet edhe fakti se arritja e kompromisit rreth emrit është kusht për vazhdimin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Në partinë shqiptare në pushtet vlerësojnë se potencimi i këtij elementi do ta rrisë përqindjen e qytetarëve që do të votojnë pro kompromisit për emrin, ndërkohë kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, edhe sot ka vazhduar paraqitjen me ton të ashpër rreth çështjes së emrit.

Nikolla Gruevski: “Çështja e emrit nuk duhet të na ndajë, por duhet të na bashkojë. Kjo çështje nuk guxon të shndërrohet në çështje nëse do të ekzistojë Maqedonia ose jo.”

Sondazhet që realizojnë në Maqedoni tregojnë përqindje të madhe të maqedonasve që janë kundër ndryshimit të emrit, mirëpo të njëjtat sondazhe tregojnë përqindje dhe më të madhe të maqedonasve që përkrahin integrimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër shqiptarët e Maqedonisë në përqindje të lartë e përkrahin ndryshimin e emrit për shkak se kjo çështje e pengoi anëtarësimin në NATO dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Në rast se koalicioni qeveritar nuk gjen gjuhë të përbashkët për çështjen e referendumit deri në vjeshtë, atëherë termini më i besueshëm i ardhshëm mbetet pranvera e vitit 2010. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al