50% e popullsisë shqiptare marrin shërbim shëndetësor falas në poliklinika, duke përfituar nga skema e sigurimeve.

Kjo shifër u deklarua nga drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, Elvana Hana, gjatë konferencës për mënyrat e reja të financimit në sektorin shëndetësor.

Hana u shpreh se aktualisht po punohet me përcaktimin e paketës së shërbimeve në spitale, të cilat do të kontraktohen nga ISKSH.

Elvana Hana: “Sfida e parë që kemi këtë vit është përcaktimi i paketës së shërbimeve në sistemin e spitaleve publike. Në momentin që ne do të përcaktojmë këtë paketë të shërbimeve në spitalet publike. Neve kemi mundësi që për këtë paketë shërbimesh të financojmë edhe privatin në qoftë se ai ofron kosto në të ulëta dhe standarde më të larta. Rreth 50% të popullatës është e mbuluar aktualisht dhe i përfiton shërbimet nga ne. Synojmë që në katër vitet e ardhshme duke e bërë atraktiv sistemin nëpërmjet paketave në spitale publike , por dhe në spitale private ne të arrijmë mbulim rreth 80% të popullatës.”

I pranishëm në këtë konferencë ishte ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili theksoi se reforma shëndetësore nuk është vetëm e bluzave të bardha.

Petrit Vasili: “Pavarësisht se reforma quhet shëndetësore ajo pa diskutim është një përzgjedhje komponentësh ekonomik, social, etik legjislativ ku secili prej tyre i pabarazpeshuar me të tjerët mund të krijojë disekuilibra që janë të rrezikshëm dhe e pengojnë zhvillimin e reformës.”

Përfshirja e sektorit privat në financimin dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor u cilësua nga Ministri i Shëndetësisë si një aspekt i rëndësishëm i reformës që duhet rregulluar nëpërmjet kuadrit ligjor./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami