Roli i mjekut të familjes është rritur ndjeshëm që nga nisja e reformës në shërbimin shëndetësor parësor.

Këtë e dëshmon numri i vizitave i bërë në qendrat shëndetësore, i cili kap një shifër prej 800 mijë vizitash më shumë sesa një vit më parë.

Silvana Hana: “Nga 2006 në 2009 ai është rritur rreth 67 % dhe e krahasuar vetëm me vitin paraardhës është rritur 13% duke arritur në 9.9 vizita mesatarisht për një mjek. Shifër mjaft mbresëlënëse është 800 mijë persona, e shikojmë për herë të parë mjekun e familjes në vitin 2009, tregon për fuqinë që mjeku i familjes  po merr në sistem.”

Ndërkohë në fjalën e tij ministri i shëndetësisë, Petrit Vasili ka deklaruar se është shumë e domosdoshme të përshpejtohet dhënia e autonomisë së spitaleve. Ky fakt, ka shtuar ministri do të rriste dhe cilësinë e shërbimeve.

Petrit Vasili: “Në këtë moment në të cilin ndodhemi realizimi i kësaj autonomie do të thotë gjithmonë e më shumë shkuarje e përgjegjësive aty ku ndihma ofrohet. Autonomia ka të bëjë dhe me fokusimin shumë më të qartë të nivelit të përgjegjësive dhe për të parë atë që nuk na shkon mirë. Sa me vonë që autonomia të realizohet aq më vështirë do të kemi të realizojmë cilët janë përgjegjësit e atyre që nuk shkojnë mirë në sistem.”

Sipas Elvana Hanës objektivi kryesor për vitin 2010 mbetet mbulimi i 80% të popullsisë me paketën bazë të shërbimeve./tvklan.al