Reforma zgjedhore do të jetë testi i radhës që Lulzim Basha do të duhet të kalojë në Shtator për të kënaqur pritshmëritë e aleatëve të tij. Të prerë në kërkesat e tyre ata thonë se prioriteti i punës së komisionit të reformës zgjedhore duhet të jetë ndryshimi i sistemit elektoral dhe listat e hapura.
“Është e domosdoshme të ndryshohet sistemi, që mund të bëjë përzgjedhje përtej flamurit politk, ose të bëhen lista të hapura, ose një pjesë e zonave të bëhen maxhoritarë, sepse deri më sot shqiptarët votojnë listën që u ofron kryetari”, tha Dashamir Shehi, kreu i LZHK i zgjedhur deputet nga radhët e PD.
Ndërsa kreu i PDK, Nard Ndoka, u shpreh
: “Kemi një sistem që zhvlerëson votën e shqiptarëve, është një kod zgjedhor antikushtetues, vota nuk ka peshë. Është imediate që ne të diskutojmë disa variante”.
Deputetët Shehi dhe Ndoka i sugjerojnë kreut të demokratëve të heqë dorë nga pazaret me Partinë Socialiste në kurriz të të vegjëlve.
“PD mban të njëjtin mëkat me PS, e kanë njollosur sistemin tonë zgjedhor, por PD duhet të heqë dorë nga monopoli dhe kontrolli i zgjedhjeve me PS. Kjo është domosdoshmëri që PD ta bëjë këtë hap të guximshëm dhe për Bashën është e rëndësishme që edhe vete është ndryshe nga politikanët që kemi parë më parë,“ s
htoi Ndoka.
Dashamir Shehi theksoi:
“Ky do ishte revolucion i madh, do kthente demokracinë dhe do krijonte piramidën e vlerave, një elitë politke, sepse vota e popullit do tregonte sa vlen ky. Ndërsa sot elitën e partive e bëjnë kryetarët e partive dhe fatkeqësisht janë bërë një grup servilash që produktivitetin e tyre e tregon kjo politikë”.
Në funksion të një procesi zgjedhor që ofron garanci dhe standarte, aleatët e djathtë shohin edhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore.
“Për ne është shumë i rëndesishëm edhe drejtimi i zgjedhjeve, jo me militantë partiakë, por me njeë trup zgjedhore të depolitizuar. Ka sot me mijëra njerëz që mund ta kryjnë më mirë se politikanët e partive”,
vijoi më tej kreu i PDK.
“Kam njëzet vjet që e mbështes këtë ide. Sot me këtë trysni që ka politika, që është futur në xhepat e shqiptarëve, e vetmja mënyrë është që të votojmë elektronikisht, më pas edhe me depolitizim dhe komisione partiake, të rrinë si vëzhgues nga jashtë”,
u shpreh deputeti Shehi.
Edhe ekspertët e zgjedhjeve e shohin të mundur depolitizimin e komisioneve zgjedhore, nëse partitë politike kanë vullnet për ta reflektuar një ndryshim të tillë në kodin e ri zgjedhor. Madje sipas tyre, kjo nismë mund të aplikohet edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Tv Klan