Raporti i rreziqeve të konstatuara nga Forumi Ekonomik Global përcakton 5 rreziqe që përballet çdo vend këtë vit. Për Shqipërinë janë emigrimi i pavullnetshëm, mungesa e fuqisë punëtore dhe ekspertëve, krimi dhe veprimtaria e paligjshme ekonomike, shërbimet ekonomike e sociale të pamjaftueshme, pabarazia në të ardhura etj.
Deputeti Dashamir Shehi ka analizuar në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan këto rekomandime. Ai shpjegon pse rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto që është mjaft e mirë, nuk po reflektohet në të gjithë popullsinë.
Dashamir Shehi: Mungesa e fuqisë punëtore dhe ekspertëve është agravuar për efekt të emigracionit. Ato të tjerat janë aty ku kemi qenë. Në aspektin ekonomik, do të thoja që në raport me sipërfaqen, GDP, disa tregues makro kanë edhe njëfarë përmirësimi. Një ekonomi që rritet 3.5% në pamje të jashtme duket e shëndetshme se në Europë nuk është se ka vende që rriten me 3.5%.
Aldo: Unë di që me të njëjtën sasi paraje blej më pak.
Dashamir Shehi: Problemi te GDP që rritet dhe varfëria që mbetet, njerëzit që vazhdojnë të ikin ka një tregues që është pothuajse i fshehtë për ata që s’e kuptojnë nga jashtë: rishpërndarja e kësaj është krejt e pabarabartë dhe duke mos u shpërndarë në mënyrë të drejtë, ato thasët e varfërisë rriten njëkohësisht, e para e punës. Dëshira për të emigruar vazhdon ajo që ka qenë. E gjithë kjo shumë duhet të lëvizë të gjithë shoqërinë. 3-4% nuk janë pak, pavarësisht se ekonomia jonë është e vogël, por gjithsesi duhet të kishte një vektor pozitiv. Në fakt, nuk e ndiejmë sepse kjo grumbullohet në pak duar dhe është e drejtuar në disa sektorë të cilët nuk bëjnë rishpërndarje.
Sa i përket emigracionit që vazhdimisht diskutohet për rritjen e tij, Shehi tha se janë shtuar edhe ambiciet e të rinjve. Lidhur me trendin, ritmi zbritës do të bjerë për shkak të faktorëve fiziologjikë dhe largimit të trungut emigrator.
Dashamir Shehi: Në Shqipëri nuk po ndodh ndonjë nga këto fenomenet e rikthimit se po të kishte një fenomen rikthimi, jo vetëm që do të balancohej, por tregonte që ka shpresë, që ka një lloj entuziazmi për realitetin ekonomik shqiptar. Kjo është e keqja që këtu vazhdojnë të ikin. A do të ulet, do të bjerë? Do të bjerë në mënyrë fiziologjike se ai trungu emigrator që ikë që është mosha nga 18-35 vjeç, është zovgëluar dhe këto që kanë mbetur këtu janë ose fëmijët, ose mosha mbi 60 vjeç. Ritmi do të bjerë, por nuk vjen prej faktorëve ekonomikë, as socialë, vjen prej faktorëve sociologjikë, prej logjikës normale demografike që grupi që duhet të emigrojë s’ka më rezerva, fillon e zovgëlohet dhe bie.
Lidhur me rrogat e pensionet, Shehi shprehetse është një zgjidhje e shpejtë, por për të përmirësuar sistemin shëndetësor apo arsimor, nevojitet të paktën një dekadë. Një tjetër faktor që ai e evidenton si problematik është rendi e siguria në vend që rrjedhimisht ndikojnë në tregun e punës.
Dashamir Shehi: Ka edhe një fenomen tjetër që e ka rënduar situatën më tepër. Nuk ka rend, nuk ka siguri. A e shikoni që vriten përditë me armë? Kjo ka prishur edhe konkurrencën e tregut të punës. Imagjinoje para 15-10 vjetëve, ndoshta një i ri 25 vjeç në fshat mendonte që mund të ndërtohej një ekonomi, të ndërtonte shtëpi, të blinte një makinë edhe duke mbjellë misër e shitur domate, duke mbajtur bagëtitë. Sot nuk e bën dot këtë punë. Pse? Hyri droga në mënyrë kaq masive sa ai që është 20 vjeç në fshat thotë më mirë po rrezikoj, po merrem me këtë punë se vetëm kështu mund të bëhesh pasanik. Duket si narrativë kafeje kjo, por ky është realiteti!
Mungesa e fuqisë punëtore vjen edhe për shkak të mungesës së kualifikimit. Zanatet e reja kanë nevojë për njohuri dhe janë të paguara ndërkohë që mbetet për t’u plotësuar pjesa tjetër, e cila mund të funksionojë me burime të jashtme.
Dashamir Shehi: Zanatet e reja janë më të kualifikuara. Kanë nevojë për disa njohuri elektronike. Kush janë zanatet e reja? Ato që rregulljnë kondicionerët, ato që rregullojnë makinatereja moderne, sistemet e reja hidraulike brenda grataçelave, mirëpo ky është një krah pune i kualifikuar. Nuk është se po vjen a djali nga fshati, nga provinca dhe po i jep çelësat në dorë. Këto zanate nuk është se nuk paguhen në Shqipëri. Paguhen me thënë të drejtën se s’ka. Ne mund të mbushim krahun e punës të lirë, atë të lopatës që po vijnë edhe nga jashtë.
Në tregun e punës, Shehi vëren një mungesë të organizimit në hallka të ndryshme duke krijuar vende pune bosh dhe mosintegrimin e puëntorëve të kualifikuar në të.
Dashamir Shehi: S’kemi një sistem të integruar të punës që nënkupton zyrat e punës, agjencitë e punësimit, shkollat profesionale, janë një rrjet kjo që e peshkon atë që duhet për tregun e punës, e kualifikon, e rikualifikon. I gjithë ky sistem mungon në Shqipëri. Këtu kemi vende pune që janë bosh sepse s’ka njerëz të zotë, punëtorë që rrinë pa bërë gjë sepse nuk integrohen dot te tregu i ri i punës, te dinamika që ka tregu i ri i punës./tvklan.al