Reforma zgjedhore ishte problemi në miratimin e konkluzioneve të takimit të 15-të ndërparlamentar.
Përfaqësuesi i mazhorancës, Rusmali, garantoi se me formatin spanjoll proporcional rajonal, fenomeni Dushk nuk do të përsëritej gjë që u kundërshtua nga socialisti për integrim, Meta, me argumentin se në fakt pikërisht ky format humbte vlerën e barabartë të votës duke bërë të mundur që kalkulimet politike të sillnin të njëjtin rezultat.
Ilir Meta: “Përderisa kemi zgjedhur sistem proporcional duhet që në thelb rezultati të jetë proporcional, prandaj lojërat që janë bërë në të kaluarën që kanë sjellë Dushkun nuk duhet të përsëriten prapë në sistemin e ri”.
Kryetarja e delegacionit europarlamentar për Ballkanin, Doris Pack, u shpreh se kjo çështje ishte punë e kuvendit shqiptar për të cilën parlamenti evropian nuk mund të përzihej pasi bëhej fjalë për llogaritje të rezultatit.
Duke kundërshtuar këtë deklaratë Meta i tha Doris Pack se po e drejtonte seancën si kryetare e parlamentit shqiptar, por nuk pati reagim për këtë, ndoshta dhe për faktin se siç u shprehën ndërkombëtarët ishte hera e parë që ata vërenin se deputetët thonin gënjeshtar shumë shpesh ndaj personit që mbante fjalën.
Si përfundim regjistri civil dhe kartat e identitetit duhet të jenë gati para zgjedhjeve të radhës dhe po ashtu amendimet në kodin elektoral duke përcaktuar detyrimet e palëve përsa i takon performancës administrative dhe listave zgjedhore.
Socialistja Meksi këmbënguli që qeveria të diskutojë në parlament për raportet e komisionit evropian pasi sipas opozitës qeveria anashkalon autoritetin e legjislativit në çështjet e integrimit, ndaj u vendos rritja e kapaciteteve të parlamentit në këtë drejtim duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit politike .
Duke trajtuar çështjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe mosmarrëveshjet mes presidencës dhe shumicës parlamentare delegacioni europarlamentar përfshiu në konkluzionet e tij dhe fjalinë se Shqipëria ka nevojë urgjente për përmirësim të funksionimit të sistemit gjyqësor dhe eficence të autoriteteve të tjera të drejtësisë./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj