Opozita ka dalë në një qëndrim të përbashkët për të dërguar dy përfaqësues për t’u dakordësuar me mazhorancën në lidhje me reformën zgjedhore. Lajmin e bëri të ditur kreu i selisë blu, i cili pas takimit me aleatët këtë të martë tha se për këtë detyrë janë mandatuar Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi.
“Kanë kaluar katër muaj dhe ky proces është zvarritur si shenjë e mungesës së vullnetit nga pala tjetër. Prej Shtatorit është një kusht i Bundestagut. Kanë kaluar katër muaj dhe ky proces është zvarritur si shenjë e mungesës së vullnetit nga pala tjetër. Sot opozita e bashkuar rikonfirmon qëndrimin e saj për nisjen pa vonesë dhe përfundimin një orë e më parë të reformës zgjedhore dhe mandaton Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin për të dakordësuar mekanizmin për ecjen përpara me reformën zgjedhore duke i qëndruar plotësisht të gjitha pikave të parashtruara në Tetor”, tha Basha.
Këto pika janë krijimi i një mekanizmi transparent gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e forcave politike, miratimi me konsensus jashtë parlamenti i çdo propozimi për reformën dhe kalimi i tyre në seancën plenare pa asnjë ndryshim.
“E para krijimi i një mekanizmi gjithëpërfshirës transparent me pjesëmarrjen e forcave politike dhe aksesin e çdo faktori tjetër shoqëror, qytetar dhe të grupeve të interesit.
Së dyti miratimit me konsensus jashtë parlamentit të çdo propozimi për reformën zgjedhore.
Së treti, kalimin e çdo aspekti të miratuar me konsensus pa asnjë ndryshim në seancën plenare dhe me këtë mandat të pandryshueshëm kemi mandatuar dy zotërinjtë që përmendëm për t’u dakordësuar me palën tjetër që shqiptarët të mos humbasin më asnjë minutë për të përfunduar reformën zgjedhore”, tha Basha, i cili falenderoi faktorin ndërkombëtar për ndihmën që kanë dhënë për të shtyrë përpara reformën zgjedhore./tvklan.al