Lajme Arkiva – TV Klan 2003

“Përse ndalen reformat në teatër”, ky ka qenë titulli i një debati të organizuar nga Instituti Akt, i cili ka rihapur edhe njëherë debatet mbi Teatrin Kombëtar. Tashmë duket se janë vënë përballë njëri-tjetrit me akuza të ndërsjella, ish-drejtori i TK Xhevdet Ferri, koordinatori i këtij debati dhe drejtori aktual i TK Kiço Londo.

Në këtë debat janë ngritur çështje të cilat kanë pasur të bëjnë me moszbatimin e ligjit për teatrin, si dhe probleme të tjera me reformat në të, të cilat sipas Ferrit, nuk kanë të bëjnë me një preson të vetëm, që në këtë rast është drejtori aktual Kiço Londo.

Xhevdet Ferri:- “Në thelb po të shikoni edhe vetë ky seminar debat ka qenë i titulluar “Përse ndalen reformat në teatër” dhe në qoftë se dikush mendon, kushdo qoftë ky edhe pse momentalisht ka titullin e titullarit të TK, nuk mund të personalizohet, reforma është një proces që përshin një sistem të tërë, jo vetëm komunitetin e artistëve, që prodhojnë teatër apo film, por dhe njerëzit që e konsumojnë atë. Pra sa do i zoti, apo sa do hileqarë të jetë një person, nuk mund ta personalizojë dhe privatizojë dot një reformë, i cili përfshin këtu, që nga institucionet më të larta vendimmarrëse, e deri tek kapitali administrativ pranë një institucioni, por kur flas për diçka ndryshe në komunikim, kjo është kultura e komunikimit të lirë”.

Gazetarja: Ndër të tjera, zoti Ferri, zoti Londo sot ju ka akuzuar, se ju keni qenë ai që keni dashur ta shkatërroni atë teatër, ta shembni atë, ta ktheni në qendër biznesi, apo dhe probleme të tjera që kanë ekzistuar dhe në t kaluarën. A do të kishit një përgjigje për të në formë të këtij debati?

Xhevdet Ferri:- “Unë nuk do të kisha absolutisht asnjë përgjigje. Ideja ime që çështja e godinës së TK, i është propozuar shtetit shqiptar, nuk i është propozuar as Kiços dhe as dikujt tjetër, ajo është një ide që mbetet përsëri për t’u marrë në konsideratë në treg dhe në qoftë se atëhere dikush ka menduar se kjo ide ka qenë e lidhur me interesa personale, pëfitime të ish-drejtorit të TK, unë po ia delegojë këtë kapital drejtorit aktual, le ta bëjë ai, le të përfitojë ai, unë do të jem i lumtur, nëse ai do të zbatohet”.

Kiço Londo:- “Ne nuk paragjykojmë askën që hedh ide për reforma në teatër, bile jemi të hapur që të mirëpresim çdo mendim për reformën në teatër, por nuk mund të lejojmë nga ana tjetër, që një njeri i cili drejton Institutin Akt dhe që ka drejtuar për 3 vjet TK dhe që ka qenë në krye të procesit për rrënimin e TK, me qëllim që të fitoj nga ky ndërtim mafia e ndërtimit, t mund të vihet përsëri në krye të reformave, dmth. na është dukur fare paradoksale dhe komike, nuk kemi asnjë paragjykim tjetër për reformat, madje i duam dhe do t’i zhvillojmë ato në teatër. Unë kam përshtypjen që ligji për teatrin është tejkaluar, ka qenë pjesë e reformës së drejtuesve të Institutit Akt dhe ligji për teatrin është një dështim me sukses i atyre që e iniciuan, e atyre që e aprovuan dhe e atyre që kanë tentuar herë pas here të aplikojnë, por që e kanë parë që është i pa aplikueshëm”./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora