Mjekësia ligjore është gjithnjë e më shumë e përfshirë në fushën e kriminalistikës e jo në pak raste duke u dhënë zgjidhje krimeve të klasifikuara si me shkallë vështirësie të lartë për t’u zbardhur.
Një revolucion në proceset hetimore me një impakt potencial në zhvillimin e mjaft mistereve, por gjithçka kulmon me ADN-në, një zbulim i shekullit të 19-të që tashmë po shërben siguri i provës për vrasje, përdhunime, rrëmbime dhe agresione.
Në Shqipëri përmes analizave të ADN-së janë provuar mjaft krime, zbuluar e vënë pas hekurave mjaft autorë të tyre.
Deri tani ky shërbim në çështje të rënda kriminale është kryer në vende të tjera, por shumë shpejt këto analiza do të kryhen në laboratorin e kriminalistikës pranë policisë shqiptare.
Me një eksperiencë të gjatë në fushën ligjore dhe me një përvojë në një prej proceseve më të bujshme gjyqësore bazuar në analizën e ADN-së, avokati Basri Mane, jep vlerësimet e tij mbi impaktin që do të krijojë kryerja e analizës së ADN-së pranë laboratorit shqiptar të kriminalistikës.
Basri Mane: “Sikur të marrim vetëm faktin e denatyrimit të mostrës për shkak të kalimit të kohës , kushteve me të cilat mbahet e të tjerë e të tjerë është prapë me sukses. Të marrësh mostrën, ta analizosh në laboratorët shqiptare dhe ta arkivosh është një sukses. Ta marrësh mostrën, ta çosh në laboratorët italiane, të marrësh rezultatin, të çosh pastaj mostrat e dyshuara për krahasim përsëri është një humbje kohe dhe shpeshherë arkiva italiane nuk merr përsipër ndonjë detyrim që të ruajë mostrat e vendeve të ngjarjes. Unë do ju them vetëm një shembull. Shtetet e Bashkuara të Amerikës planifikojnë për buxhetin e FBI-së që nga krijimi, kanë filluar me 6 milion dollarë dhe kanë kaluar të 20-tat sot që po flasim ne së bashku këtu vetëm për arkivimin e ADN-së. Kaq rëndësi i kanë dhënë kësaj prove sepse është me gjithë mend jetike për procesin penal”.
Genc Gjokutaj: “Analiza e ADN-së nuk ka qenë prezente në procesin penal shqiptar edhe më përpara, edhe tashi që po flasim, por është ndjekur një rrugë tjetër, pra rruga e kryerjes së kësaj analize jashtë shtetit me anë të letërporosisë. Së pari, letërporosia për jashtë shtetit kërkon një kosto më të madhe ekonomike, por nuk është kjo e para. Kosto më e madhe është kohëzgjatja e bërjes së kësaj letërporosie pasi ka një procedurë, pra mostrat çohen me postë, me një postë sekrete diplomatike, e cila zgjat në kohë. Po kështu kthehet akti, përpilohet në gjuhë të thuaj, e cila do kohën për t’u përkthyer, pra dhe përkthimi përbën një kosto më vete dhe për më tepër bërja e analizës në Shqipëri do të shkurtojë të gjithë këtë kohë, por bërja e analizës në Shqipëri do ta ngrejë procesin cilësisht dhe proceduralisht më larg sepse eksperti që do të bëjë analizën do të paraqitet në gjykatë dhe do t’i përgjigjet pyetjeve të palëve”.
Shumë ngjarje të lëna pezull e shumë dosje kriminale pa autorë pritet të zbardhen përmes tyre.
Basri Mane: “Do iu bëja një apel të gjithëve që mundësisht të dalin dhe ca fonde që jo vetëm makineritë, por dhe këto proceset që kanë të bëjnë si me përmirësimin e legjislacionit, ashtu edhe me arkivimin e provave të ADN-së me qëllim që të ecet me fazat e duhura ligjore dhe shkencore në këtë provë. Do të jetë një sukses edhe për drejtësinë shqiptare, sidomos në atë të zbulimit të së vërtetës dhe bindjes për drejtësinë e dhënë në organet tona gjyqësore”./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani