Një i vdekur dhe katër të plagosur është bilanci i aksidentit të ndodhur mbrëmjen e kësaj të enjte në qytetin e Peqinit. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 21 në Unazën e qytetit.
Dy makina, njëra me targa të Vlorës dhe tjetra me targa të huaja u përplasën kokë më kokë, pas parakalimit të gabuar të njërit prej automjeteve. Këto janë dhe pamjet e marra pak orë më parë në vendin e ngjarjes.
Viktima e këtij aksidenti është 31-vjeçari Besnik Omeri nga qyteti i Vlorës. Nga përplasja mbetën të plagosur rëndë edhe katër persona të tjerë.
Një natë më parë dalja nga rruga e një makine tip BMË me targa angleze u mori jetën tre të rinjve shkodranë, në një aksident të ndodhur rreth orës 1 pas mesnatës.
Vëllezërit Përparim e Besim Haliçaj, 36 dhe 32 vjeç dhe 27-vjeçari Selami Hakaj po udhëtonin nga Velipoja në drejtim të Shkodrës.
Një defekt në pjesët xhenerike të sistemit drejtues, ndoshta edhe përgjumja e drejtuesit të saj, Përparim Haliçaj, por edhe shpejtësia mbi normat e lejuar, kanë bërë që makina të rrotullohet disa herë në rrugë, pranë urës së Gjolulit, dhe të përfundojë në një kanal.
Aty ka qëndruar për gati 5 orë dhe u gjet rreth orës 6 të mëngjesit nga kalimtarë të rastit, me trupat e pajetë të tre të rinjve në bord.
Për nxjerrjen e trupave të viktimave është nevojitur edhe ndërhyrja e zjarrfikësve. Ky aksident, i pari i këtyre përmasave për këtë vit në këtë aks, e rendon bilancin tragjik të fatkeqësive në rrugët e vendit.
Prej të dielës 15 persona kanë humbur jetën, 21 të tjerë janë plagosur. Në të gjitha këto aksidente, shkak është bërë shpejtësia dhe mos respektimi i rregullave të qarkullimit./tvklan.al