Hap dyert Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër, një tjetër investim me ambiente moderne dhe e pajisur me aparatura të reja diagnostikuese për rreth 200,000 banorë.  Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministren e Shëndetësisë u njoh nga afër me këtë Poliklinike që tashmë ofron 22 specialitete.

“Keni shumë shërbime urgjence”, dëgjohet Rama në një bashkëbisedim me një prej pjesëtarëve të stafit të kësaj Poliklinike, i cili iu përgjigj – “Po, shërbim emergjence, e kemi të organizuar me tre autoambulanca që janë në lëvizje”.

“Ndërkohë, zgjerohen kabinetet e shërbimeve, nga 14 shërbime që ofroheshin në këtë Poliklinikë, aktualisht jemi në 22 shërbime. Këtu jemi në kabinetin e imazherisë edhe pajisjen Dexa që është një nga pajisjet që vlerëson densitetin e kockës dhe për gratë është shumë e rëndësishme”, tha Albana Koçiu.

Sipas ministres Albana Koçiu ka edhe shërbime të reja që i shtohen Poliklinikës në Shkodër.

“Ndërkohë që në katin e dytë janë vendosur gjithashtu shërbime të rëndësishme dhe nga ato shërbime që janë për herë të parë dhe ofrohen për herë të parë në Poliklinikë si shërbimi fizioterapisë, shërbimi i shëndetit mendor, kemi një klinikë të dedikuar për shëndetin mendor, shërbimi i toksologjisë.“, tha Koçiu.

Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër ka një sipërfaqe prej 1300 m² dhe vlerë totale investimi prej 120 milionë Lekësh të reja.

Në vijim të vizitës në Shkodër, Kryeministri Edi Rama inspektoi kantierin e punimeve të lagjes 300-vjeçare të Zdrales, një nga zonat historike të Shkodrës që do të kthehet në hapësirë pedonale, si një destinacion i ri tregtar, social e turistik.

Një tjeter ndalesë e Kryeministrit Rama ishte edhe Tregu i Rusit në kryeqendrën e veriut, ku pa nga afër transformimin e këtij tregu në një hapësirë të bukur dhe dinjitoze për qytetarët.

Klan News