Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Këto pamje na çojnë në fshatin Bërxull të Tiranës, ku një ditë më parë një vajzë 16-vjeçare ka humbur jetën e vrarë nga dora e babait të saj. Ndërkohë që Ruxhdi Qinami vrasësi i vajzës së tij është arrestuar, gjithë bisedat e banorëve të zonës vërtiten rreth kësaj ngjarje. Ndërsa këtu, në shtëpinë ku u vra Fiqirete Qinami, ka rënë një heshtje e thellë.

Askush nuk dëshiron të thotë, qoftë dhe një fjalë të vetme. I vetmi person që u prononcua për këtë ngjarje është ky i moshuar 68-vjeçar, quhet Ali Lama. Ai thotë, se ka një lidhje farefisnore me familjen Qinami.

Ali Lama:- “Tani çohet babai për të shkuar në punë, me u dhënë bukë kalamajve, kur është çuar ky nga ora 4:30, goca ka qenë jashtë dhe ka ardhur duke u futur brenda. Ku qe ajo gocë? Thonë që ka qenë edhe një makinë pa targa atje poshtë shtëpisë. Atëherë ajo makina ka ikur thuhet, goca ka ardhur me u fut brenda dhe se si ka reaguar goca dhe së çfarë pyetjesh ka bërë baba, ai është në burg, nuk dimë ça kanë thënë, atëherë baba e ka vrarë”.

Fiqirete Qinami ishte e fejuar dhe për pak javë martohej, mendohet që të ketë pasur një të dashur. Ky fakt mund të ketë komente të ndryshme të kohës apo dhe të tilla.

Ali Lama:- “Për popull atë djalë mos ta mbajnë në burg, le të fusin një tjetër në vend të atij, atë jo, se ia ka zbardh faqen familjes dhe gjithë Shqipërisë, për ata që kanë gjak shqiptari”.

Është për t’u çuditur, por mentalitete të tilla nuk vijnë vetëm nga kanuni i lashtë i Lekë Dukagjinit, ato janë edhe këtu, vetëm pak kilometra larg Tiranës./tvklan.al