Udhëtimi në Pogradec mbetet gjithmonë një kënaqësi jo vetëm për pushuesit, por për çdokënd që zgjedh ta vizitojë atë.
Në prag të këtij sezoni veror qyteti duket mese gati për të pritur turistët vendas dhe të huaj.
“Më pëlqen shumë Pogradeci se këtu është edhe klimë malore dhe klimë detare, dmth, ka ajër të pastër. Erdha sot, prenotova një dhomë dhe do rri të rri tre muaj. Kam qejf të rri tre muaj”.
Investimet e kryera në rrugë trotuare dhe ndriçim, shoqëruar me ngritjen e parqeve çlodhëse kanë bërë që infrastruktura e qytetit të jetë e standardeve bashkëkohore.
Erjon Vesho: “Kryesisht janë shëtitoret përgjatë bregut të liqenit, të cilat tashmë janë kthyer në një koncept komplet të ndryshëm nga rrugët e mëparshme që ishin. Janë kthyer në shëtitore të mirëfillta për t’i shërbyer qytetarëve”.
Ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza pasuar nga impianti i përpunimit i ka dhënë fund derdhjes së tyre në liqenin e Ohrit.
Bashkë me drenazhimin e rërës ky projekt ka përmirësuar në mënyrë të ndjeshme pastërtinë e tij.
“Parvjet kur isha këtu ishte shumë pis Pogradeci si liqen. Tashi që u bo kolektori që u bë një punë e pastër, rërë s’ka patur fare. Tani ka rërë, mua po më pëlqen jashtë mase.”
“Liqeni nuk ka më ato që kishte dhe është i pëlqyeshëm nga të gjithë”.
Përgjatë 33 kilometrave të vijës liqenore janë ndërtuar rreth 170 hotele me mbi 8 mijë shtretër.
Çmimet e dhomave variojnë nga 2 mijë deri në 4500 lekë në ditë, një ofertë kjo për të gjitha kategoritë e pushuesve.
Erjon Vesho: “Ka filluar të ndihet disi edhe organizimi i vetë shoqatave të hotelierëve me mbështetjen e disa shoqatave të huaja, të cilat asistojnë në qytetin e Pogradecit në drejtim të turizmit. Këtë vit besoj se do lobojnë akoma më fuqishëm për të thithur dhe për të dhënë ofertat e paketat e tyre turistike më të mira.”
Po aq tërheqëse mbeten edhe rrethinat e Pogradecit. Vizita ne këtë qytet nuk do të kishte kuptim pa një shëtitje në parkun e Drilonit, ku harmonizohen në mënyrë përrallore kthjelltësia e liqenit dhe freskia e pemëve.
Bukuria mahnitëse e liqenit të Ohrit, gatimet tradicionale ku spikatin korani dhe vera me shije karakteristike duke mos harruar këtu edhe mikpritjen e vendasve janë disa nga arsyet për të zgjedhur Pogradecin si destinacionin e kësaj vere./tvklan.al