Republika Çeke nuk do ta përkrahë iniciativën e Serbisë që për shpalljen e pavarësisë së Kosovës të merret mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë.
Këto komente i bëri sot ambasadorja e Republikës Çeke në Prishtinë, Janina Hrebickova, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin Hashim Thaçi.
Janina Hrebickova: “Siç e dini ne jemi kundër kësaj nisme të Serbisë dhe për këtë e kemi njoftuar dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hysenin, gjatë vizitës së tij në Pragë.”
Nga ana tjetër kryeministri kosovar ka falënderuar shtetin çek për ndihmën e vazhdueshme që po i jepet Kosovës.
Hashim Thaçi: “Kishim takim të rregullt pune me ambasadorin e Çekisë, një takim ky shumë produktiv, një takim i thellimit të bashkëpunimit mes republikës së Kosovës dhe republikës çeke që ka qenë bashkëpunim vazhdimisht i mirë, por që thashë do të rezultojë dhe në marrëdhëniet tona bilaterale mes Pragës dhe Prishtinës në një rrafsh shumë të gjerë institucional”.
Kryeministri Thaçi ka takuar sot edhe ushtruesin e detyrës së ambasadorit të Sllovenisë në Kosovë, Vojko Volk, me të cilin ka diskutuar rreth fillimit të sesionit të 63-të të asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./tvklan.al