Reshjet e shiut që  kanë vazhduar me intensitet përgjatë gjithë natës kanë krijuar probleme në shumë rajone të vendit.

Dalja nga shtrati e lumit Gjanica, ka përmbytur shtëpi, dyqane dhe rrugë në lagjet Liri dhe Sheq i Vogël në Fier.

Një fëmijë 13 vjeç dhe një çift të moshuarish mbetën të izoluar përgjatë gjithë natës si pasojë e vërshimit të ujit në brendësi të banesave.

Autoritetet lokale kanë ngritur shtabin e emergjencës për tu ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur

Baftjar Zeqo: “Dëmet që kanë pësuar shumë familje të përmbytura sidomos gradat e para do të fillojnë të shihen ose llogariten në bazë të kësaj situate.”

Në qarkun e Lezhës rreth 350 ha tokë bujqësore janë gdhirë nën ujë. Ngritja e nivelit të ujit ka kthyer në moçalishte fushën e Torovicës, komunën e Dajçit, Balldrenit dhe Kolshit duke kërcënuar edhe disa shtëpi. Kjo zonë që prej 48 orësh nuk furnizohet me energji elektrike për shkak të problemeve me rrjetin.

Në komunën  Fushëkuqe të Kurbinit dhjetëra shtëpi banimi janë përmbytur, ndërsa rreth 1 mijë hektarë tokë janë kthyer në moçalishte. Uji që ka depërtuar në brendësi të banesave ka arritur deri në 30 cm lartësi

“Tash 3 ditë që po rrimë në ujë dhe nuk po na shikon asnjë se ku jemi.”

“Sikurse të hapen kanalet ne nuk do të ishim mbyt në ujë .”

Shkak për situatën e krijuar është bërë mosfunksionimi i dy kolektorëve dhe bllokimi i kanaleve kulluese.

Rreth 1 mijë banorë të Vermoshit në komunën Kelmend të Malësisë së Madhe janë bllokuar si pasojë e reshjeve të dëborës, trashësia e të cilave ka arritur në mbi  50 cm. Aksi rrugor nga Gropa e Selcës deri në Vermosh është i pa kalueshëm. Edhe fshatrat Lepushë dhe Qaf e Boredolecit janë të izoluar.

Stuhia që ka përfshirë rajonin e Korçës ka shkaktuar probleme me energjinë elektrike, ndërkohe që era e fortë ka rrëzuar pemë dhe tabela.

Në qytetin e Beratit nga reshjet e rëna gjatë natës uji ka përmbytur rreth 30 shtëpi në lagjet Çlirim dhe Jani Vruho. Vërshimi i degëve të lumit Osum ka përmbytur qindra ha tokë në fshatrat, Belesovë, Mbrakull dhe Velabisht në Berat./tvklan.al