Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në qytetin e Gjirokastrës kanë ardhur dritat. Sipas drejtorit të drejtorisë rajonale të njësisë të menaxhimit të energjisë elektrike Foto Todi, mësohet se është rivënë në punë në masën 60% nënstacioni elektrik i Gjirokastrës, i përmbytur tërësisht mëngjesin e ditës së enjte. Todi shprehet se ka filluar furnizimi me energji elektrike për rreth 90% të konsumatorëve në qytet dhe 40% për konsumatorët në zonat rurale.

Burime të filialit elektrik të rrethit thanë, se gradualisht po vihen në punë të gjithë fidrat e nënstacionit elektrik. Rënia e nivelit të ujit të lumit Drino ka bërë që rreth mesditës të bëhet i kalueshëm segmenti prej gati 3 km, i rrugës nacionale Gjirokastër-Tepelenë, i bllokuar që nga mëngjesi i ditës së enjte, si pasojë e vërshimit të ujërave të Drinos dhe liqenit të Viroit.

Reshjet e shumta gjatë tre ditëve të fundit dhe veçanërisht ato të mbrëmjes së ditës së mërkurë përmbytën dhe bllokuan rrugët kombëtare Tepelenë-Gjirokastër, pranë liqenit të Viroit. Si pasojë e reshjeve u përmbyt gjithashtu edhe nënstacioni elektrik i qytetit, duke lënë pa energji nga e mërkura e deri sot rrethin e Gjirokastrës./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti