Vendet e Ballkanit për revistën amerikane Yardbarker janë një pjesë e nënvlerësuar e Evropës, por ato janë të pasura me histori, kulturë dhe peisazhe të bukura.

Kjo revistë e njohur ka listuar 20 vende të cilat nuk duhen humbur nga udhëtarët e huaj dhe rekomandon që gjatë këtij sezoni të vizitohen qytete si Tirana, Saranda dhe Berati.

Kryeqyteti i Tiranës ka pësuar shumë ndryshime vitet e fundit, ç’ka ka bërë që numri i vizitorëve të vazhdojë të rritet me miliona çdo vit.

Nga Blloku, te parku i madh i qytetit të Tiranës dhe monumentet e muzetë e pafund, janë vetëm disa nga vendet që ja vlejnë të eksplorohen. Revista amerikane përmend edhe qytetin e Sarandës i cili shpesh është konsideruar si kryeqyteti jozyrtar i rivierës shqiptare.

Ujërat e kristalta të plazheve konkurrojnë ato të Greqisë, një vend i cili tashmë është i konsoliduar në fushën e turizmit.

Qyteti tjetër që përmendet është edhe ai i Beratit i njohur për shtëpitë tradicionale të bardha osmane.

Në qytetin i cili është i mbrojtur nga UNESCO ka kisha bizantine, xhami osmane dhe një kështjellë me pamje mahnitëse ku turistët do të kenë mundësinë të njihen me historinë dhe kulturën e këtij destinacioni.

Klan News