Kandidati për kryetar të selisë rozë Rexhep Meidani i shoqëruar edhe nga deputetët Ilir Meta, Ilir Zela dhe Sabit Brokaj ka zhvilluar një takim me socialistët e Durrësit. Meidani ka paraqitur platformën e tij kongresuale, ku kërkohet mes të tjerave dhe institucionalizimi i mendimit ndryshe në parti. Më fjalën e tij Meidani ka qenë shumë i ashpër me qeverinë Nano.

Rexhep Meidani: “Vitet 2002-2003 janë vitet e ritmeve më të ulta të rritjes ekonomike, e cila nga 7-8% në 2000-2001 zbriti në rreth 4,5-4,6% në 2002, të shpresojmë të arrijmë në rreth 6% në vitin 2003. Mosrealizimet, gjithashtu kanë çuar në mosmbajtjen e premtimeve ne fushën sociale, mosrritjen e pagave dhe pensioneve për herë të parë në ritmet 8-10% sipas programit të deklaruar në uljen e investimeve gjë që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e popullsisë ne shumë fshatra, komuna dhe qytete. Të njëjtin ndikim negativ pati mosmbajtja e një sërë premtimesh si, stabilizimi i krizës energjitike me të ashtuquajturën “mullinj me erë” apo ato “anijet e lëvizshme”, futja e Shqipërisë në Shengen për 6 muaj etj.”
Ndërsa Meta, në fjalën e tij ka kërkuar largimin e Nanos nga drejtimi i Partisë Socialiste: “Ne nuk dëshirojmë në asnjë mënyrë që Partia Socialiste të humbasë pushtetin, përkundrazi është papërgjegjshmëria e këtyre individëve, të cilët kërkojnë që të vënë elektoratin përapra dy zgjidhjesh, ose kështu siç është, mirë apo keq, ose t’ia kalojnë Berishës. Ne nuk duam që Partia Socialiste të uzurpohet në nivelet drejtuese të saj nga njerëz të cilët nuk kanë këtë përgjegjësi të përfaqësimit dhe njëkohësisht, ne nuk duam që qeverisja e vendit të ngelet peng i njerëzve, të cilët kanë humbur përgjegjësinë e kohës, të cilën nuk na lejohet më ta humbasim dhe njëkohësisht kanë humbur edhe përgjegjësinë përpara elektoratit për premtimet që ne kemi dhënë në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike”./tvklan.al