Gazetari: “Zoti Taçi, faleminderit që pranuat për intervistën. Në radhë të parë dua të di pse? Pse pikërisht një ekip futbolli? Pse pikërisht Bolonjën dhe pse pikërisht në Itali?
Rezart Taçi: “Grupi jonë prej kohësh është interesuar të futet në sektorin energjetik italian dhe mendoj që blerja e një skuadre futbolli na jep atë vizibilitetin dhe publicitetin e duhur për t’u futur nga dera kryesore në tregun italian.”
Gazetari: “Më flisni pak për këtë operacionin e blerjes…italianët kështu e quajnë zakonisht, operacion një tentativë kaq të madhe. Sa e lehtë apo sa e vështirë ishte?”
Rezart Taçi: “Nuk ka qenë e lehtë, ky operacion, kjo blerje, sepse familja Menarini është shumë e lidhur me qytetin dhe me skuadrën e Bolonjës dhe ka qenë pasioni i tyre kjo skuadër, megjithatë kishte mbërritur momenti dhe për ta që për t’u forcuar të gjenim partnerë që të sillnin kapitale të reja në skuadër.”
Gazetari: “Cila është përqindja e saktë e aksioneve të blera nga Taçi Oil dhe sa kushtuan këto?”
Rezart Taçi: “Marrëveshja u firmos për 80% të aksioneve. Vlera kompleksive e kësaj kontrate është 43 milion euro, 24 milion i shkojnë familjes Menarini dhe 19 milion Lega Calcios.”
Gazetari: “Kush ju ndihmoi?”
Rezart Taçi: “Absolutisht asnjë njeri. Konsulentët tanë që kishim mandatuar për të bërë këtë blerje të një skuadre futbolli në serinë A, të cilët vazhduan tratativat, kuptohet nën supervizionin tim dhe me bashkëpunimin tim dhe prezencën time në momente te caktuara në këtë tratativë, në këtë operacion.”
Gazetari: “Sa ka ndikuar miqësia juaj Galianin?”
Rezart Taçi: “Miqësia me Galianin ka ndikuar besoj në opinion, por jo në këtë operacion sepse ky ka qenë një operacion i udhëhequr prej nesh edhe direkt prej nesh pa ndërhyrjen e askujt tjetër.”
Gazetari: “Çdo të thotë një biznesmen shqiptar në tregun italian?”
Rezart Taçi: “Është një kënaqësi personale e imja në radhë të parë, por gjithashtu është edhe një kënaqësi mendoj e vendit tonë, tregut shqiptar që mund të prodhojë biznese që kanë kapacitetet financiare për të investuar në serinë A dhe për ta zhvilluar një skuadër futbolli të Serisë A.”
Gazetari: “E keni menduar xhelozinë që mund të kenë italianët?”
Rezart Taçi: “E kisha menduar, por mbas qëndrimit tim dy ditë në Bolonja pata mundësinë të konstatoj këtë mikpritje miqësore, s’dua të përdor fjalë të mëdha, por shumë miqësore të qytetit dhe sidomos të sportdashësve, sidomos të tifozëve kështu që ngelet në të kaluarën ajo frika e një xhelozie apo një reagimi të tifozerisë apo qytetit”.
Gazetari: “A keni një projekt për Bolonjan dhe cili është ai”?
Rezart Taçi: “…është që fillimisht të forcojmë skuadrën që mos te ngelim ne nivelet e ulëta të Serisë A siç ndodhi edhe vjet”.
Gazetari: “Konkretisht si?”
Rezart Taçi: “Duke marrë në të tre repartet qoftë dhe atë të portierit lojtarë të një cilësie superiore dhe mbas forcimit të skuadrës mund të synojmë më tej për blerje lojtarësh më cilësorë, më të spikatur për t’i dhënë një vlerë të shtuar, për t’i dhënë një cilësi më të lartë skuadrës.”
Gazetari: “Në mediat italiane thuhej që një kusht i Renzo Menarinit ishte që Françeska, e bija e tij, të qëndronte presidente…”.
Rezart Taçi: “Është e vërtet. Ata e kërkuan sepse në 3 Tetor është 100-vjetori i skuadrës së Bolonjës, megjithatë meqenëse kjo kontratë bëhet efektive në datën 3 Gusht duke pasur 80% të aksioneve vetëm ne kemi mundësinë të vendosim gjithë stafin drejtues dhe presidentin dhe mendoj që në momentin që kjo kontratë do bëhet efektive, në qoftë se s’do kemi surpriza ditëve të fundit do jemi unë presidenti i skuadrës bolonjeze.”
Gazetari: “Pretendoni që shqiptarët të bëhen tifozë me Bolonjën”?
Rezart Taçi: “Unë do të doja. Do ta dëshiroja, megjithatë unë mendoj që ka një reagim të paktën të shqiptarëve që jetojnë në Itali. Nga bisedat që kam pasur me drejtorë mediash është rritur tirazhi i mediave…”/tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe