Më pak se dy muaj nga çelja zyrtare e sezonit turistik veror, më shumë se 60% e kapaciteteve të hoteleve ‘all inclusive’ të kontraktuara për turizmin e organizuar në grupe janë rezervuar.
Sipas Unionit Turistik Shqiptar, për shkak të kërkesave në rritje të të huajve për të kaluar pushimet në Shqipëri, është shtuar nevoja për më shumë njësi akomoduese.
Rrahman Kasa, Unioni Turistik Shqiptar: Këtë vit kemi kapacitete më të mëdha të kontraktuara, nëse vjet kishim në Golem rreth 5 mijë dhoma, sivjet janë diku tek 6 mijë dhoma, sepse është shtuar kërkesa, trendi është në rritje.
Tek turistët që vijnë me grupe, edhe këtë vit polakët mbajnë vendin e parë.
Rrahman Kasa: Kemi polakët padiskutim, por kanë një rritje edhe qytetarët nga Çekia, vendet Baltike, Spanja, Franca…
Për vitin 2024 parashikimet janë që në Shqipëri të vijnë minimalisht 30% më shumë turistë sesa vjet
Rrahman Kasa: Në shifra mendoj se do jetë diku tek 3 deri në 4 milionë turistë më tepër.
Shqipëria në vitin 2023 shënoi rekord në turizëm me 10 milionë vizitorë të huaj, ndërsa për këtë vit objektivi i qeverisë është shifra 14 milionë.
Tv Klan