Një qytetare iu drejtua redaksisë së emisionit “Stop”, duke treguar se më 17 Korrik po udhëtonte me “Wizz Air” nga Xhenova në Tiranë. Por ajo thotë se u krijuan vonesa, pasi kompania kishte shitur më shumë bileta sesa kapaciteti i avionit. Në këtë moment ajo nxori celularin, filmoi dhe regjistrimin e çoi në një portal. Pas kësaj, qytetarja u shantazhua nga personeli i avionit dhe disa pasagjerë.
Denoncuesja: Më 17 Korrik kisha një fluturim nga Xhenova në Tiranë me ‘Wizz air’. Unë incizova një video pas një vonese që kishim me avionin dhe ia dërgova një portali. Më identifikuan nga videoja dhe më keqtrajtuan, domethënë nuk e ruajtën privatësinë time. Në momentin që e identifikuan që unë kisha bërë video edhe mund të them që edhe më kanë bullizuar mua dhe familjen time, që isha me një shoqe. Pasi pritëm një orë para se të hipnim në avion, kur hipëm kompania kishte bërë ‘over booking’, pra kishin dy vende plus. Kështu që na lanë të presim një orë, një orë e gjysmë sipër avionit për të zbritur dy pasagjerët që ishin plus. Gjatë udhëtimit punonjësit vazhduan të vinin te unë, më kërkonin t’u jepja pasaportën për të përpiluar një letër. Unë refuzova ta jap dhe më thanë që ‘kur të zbresim do të vijë policia’ i thashë ‘ok’. Kërkoj drejtësi për këtë situatë, kërkoj që të mos ndodhin më situata të tjera për qytetarë të tjerë sepse nuk është e drejtë.
Rrahman Kasa, kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, flet për detyrimin e kompanisë për dëmshpërblim, kur vonesat janë mbi tre orë, ose ka anulime fluturimesh. Duke folur për incidentin e 17 Korrikut, Kasa u shpreh, që zonja duhet t’i drejtohet gjykatës, pasi nuk është e ndaluar të filmosh në avion, apo në sallat e pritjes në aeroporte.
Rrahman Kasa, kryetari i Unionit Turistik Shqiptar: Janë histori të përsëritura. Ne kemi shumë probleme, mbi të gjitha në Shqipëri se këtu dihet që ka çudira shumë të mëdha, por në fakt është një problem jo vetëm për shqiptarët, është një problem shumë i përhapur. Në fakt sipas rregullave nëse pasagjerëve u vonohet fluturimi më shumë se 3 orë kompania duhet ta dëmshpërblejnë. Kur bëhet fjalë për forca madhore, për shembull kur është për shkak të kohës se keqe, grevave kombëtare nuk ka faj kompania.
Gazetarja: A jemi në kushtet që një kompani mund të të përjashtojë nga linja apo të marrë masa ndaj pasagjerit sepse ai ka filmuar vonesën në avion apo pritjen në hollet e aeroportit.
Rrahman Kasa, kryetari i Unionit Turistik Shqiptar: Absolutisht, kjo është e drejta e secilit qytetar. Mbi të gjitha ai ka bërë atë që ka ndjerë dhe atë që i ka kushtuar më së pari sepse ai mund të ketë humbur një takim shumë të rëndësishëm, mund të ketë humbur një punë, mund të ketë humbur një gëzim familjar apo ndoshta edhe më keq se kaq dhe është e drejta e tij. Në raste të tilla çështja shkon në gjykatë sepse kështu funksionon në të gjithë botën. Madje ka shtete të BE, që për të tilla raste, kur bëhet fjalë për kërcënime të qytetarit të kësaj natyre kanë avokat falas. Këtë pastaj e zgjidh vetëm gjykata./tvklan.al