Me 9 vota të mazhorancës, Konferenca e Kryetarëve miratoi futjen në seancën plenare të 27 Majit të projektrezolutës së socialistëve “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
Votën abstenuese të opozitës, Kryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Jorida Tabaku e argumentoi me mungesën e debatit për ngritjen e komisionit të posaçëm si dhe mbivendosjen e kompetencave.
“Janë një pjesë funksionesh me ngritjen e komisionit të posaçëm që i takojnë Këshillit Kombëtar të Integrimit. Janë edhe një pjesë që lidhen me mbikëqyrjen, raportimin dhe monitorimin që nuk i bën dot mazhoranca sepse mazhoranca nuk mund të raportoje tek vetja. Kjo është një detyrë që ligji ja ka dhënë për procesin e integrimit opozitës. Këta në rezolutë vlerësojnë reformën në drejtësi, po kush garanton që ky komision nuk do kthehet në tabelë qitje për këto institucione”.
Në kundërpërgjigje të shqetësimit të opozitës, kreu i grupit Parlamentar të Socialistëve Bledi Çuçi tha se për këtë proces duhet gjithëpërfshirje dhe se nuk ka asnjë mbivendosje kompetencash me Këshillin Kombëtar të Integrimit dhe Komisionet parlamentare.
“S’ka asnjë merak për mbivendosje kompetencash nga Këshilli i Integrimit Europian apo komisionet e tjera. Procesi Screenig është burimi kryesor që na çon në marrjen e kësaj iniciative duke e shpallur prioritet luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen. Padiskutim që mazhoranca ka barrën kryesore sepse i është deleguar sovraniteti nga qytetarët, por ne kemi kërkuar gjithëpërfshirje në Parlament për ta udhëhequr këtë iniciativë”.
E teksa na ndajnë 5 ditë nga seanca plenare, demokratët ende nuk kanë vendosur nëse do të bashkojnë votat në kuvend me mazhorancën, ndonëse më herët kreu i grupit parlamentar të demokratëve Gazment Bardhi e ka cilësuar projektrezolutën anti-korrupsion të prezantuar nga Kryeministri Rama, jo si zgjedhje të tij, për të imponuar nga faktorë të tjerë.
Tv Klan