Kur kanë mbetur pak më tepër se një muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor shkolla 9-vjeçare e Gërdecit është ende e shkatërruar nga vala e shpërthimit tragjik të 15 Marsit.
Vonesa e rikonstruksionit të saj ka rritur shqetësimin tek banoret e zonës dhe fëmijët, të cilët shprehen se nuk kanë ku të shkojnë tjetër në rast se shkolla nuk do të rregullohet.
“Atë e di bashkia. Ta gjejë bashkia ku ta bëjë shkollën fëmija im”.
“Ka katër muaj, pesë muaj që kjo shkollë është e shkatërrume dhe nuk vë dorë kush me e rregullu. A ka mbet me heq të gjithë shkollën që këtu, se ku do mësojnë këta kalamaj nuk dimë gjë”.
“Shkolla le të ndërtohet. Deri tani shkolla nuk është penguar. Gjatë kohës nga shpërthimi qeveria ka vu fugonin i ka çu në shkollë fëmijët. Nuk ka lënë asnjë ditë mangët shkolle.”
Gazetarja: Ku do e vazhdosh shkollën pasi shkolla këtu në Gërdec nuk është ndërtuar?
“Nuk do e bëj dot.”
“Jo, sepse nuk është ndërtuar hala shkolla e Gërdecit.”
Por kryetari i bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, i ka garantuar banorët e zonës se ashtu siç është premtuar shkolla do të jetë gati për vitin e ardhshëm shkollor.
Sipas tij Ministria e Arsimit është në hapat e fundit të procedurave me kompaninë “Vodafone” që ka premtuar financimin e rikonstruksionit.
Fiqiri Ismaili: “Themi me plot bindje nga informacionet që kemi deri në këto momente që në Shtator, pra në fillimin e sezonit të ri të mësimit, pra shkolla do të jetë e gatshme për të gjithë banorët e fshatit Gërdec. Pra shkolla do të bëhet një rekursion i plotë i shkollës me të tëra dhe ambientet rreth shkollës për arsye se shkolla ka pësuar dëmtime të rënda nga tragjedia e 15 Marsit.”
Pas shkatërrimit të shkollës së Gërdecit në 15 Mars nxënësit e saj vijuan pjesën e mbetur të vitit shkollor, aty ku u strehuan familjet e tyre./tvklan.al