Përfundon rikonstruksioni i plotë i “Rrugës së Agallarëve” në Farkë, e cila i shërben edhe 3 fshatrave të Lundrës, Farkës së Vogël dhe Farkës së Madhe, duke i lidhur ato me Unazën e Madhe.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjajtë isnpektimit të punimeve tha se këtë pranverë fokusi do të jetë përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale.

“Në këtë periudhë të pranverës jemi fokusuar te periferia. Zakonisht në Tiranën qendrore ne fokusohemi gjatë kohës së verës, kur qyteti është zbrazur, duke qenë se shumë qytetarë shkojnë me pushime. Në Tiranën rurale punohet më kollaj gjatë pranverës.”

Veliaj nënvizoi se falë investimeve të bashkisë, është rritur vlera e pronës për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike.

“Fakti që çmimi i pronave ka kërcyer ende pa mbaruar puna, vërteton atë që themi se kur vjen rruga, vjen zhvillimi, dhe kur vjen investimi i bashkisë, rritet vlera e pronës. Nuk ka rëndësi si kanë votuar njerëzit, edhe pse unë jam shumë mirënjohës për mbështetjen masive që kemi marrë në Farkë, Petrelë edhe Bërzhitë. Sido që të kenë votuar, vetëm duke ndenjur në shtëpi, iu është rritur vlera e shtëpisë. Kemi takuar njerëz nga Dibra, nga Kukësi, sigurisht dhe ata që janë “den baba den” vendalinj dhe unë besoj se kjo është tamam një rrugë përbashkuese e të gjithëve.”

Sipas kryebashkiakut Veliaj, Bashkia e Tiranës ka vijuar investimet edhe në shumë zona të tjera të kryeqytetit për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Tv Klan