Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Janë të vjetër sa vetë teatri dhe ndoshta pikërisht për këtë, kanë vendosur të përgatisin një shfaqje në prag të 60 vjetorit të tij. “Streha e të Harruarve”, tragjikomedia e shkruar nga Ruzhdi Pulaha, po vihet në skenë nga regjisori Mihallaq Luarasi. Loja teatrale ende luhet në tavolinën e rrumbullakët, por që tani ndihet emocioni dhe mjeshtëria që aktorët e përvojës, si Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Drita Pelingu, Reshat Arbana, Esma Agoli, Besa Imami, Mërkur Bozgo dhe të gjithë të tjerëve.
Regjisori Luarasi tregon për TV Klan, se e veçanta e kësaj shfaqje tregon në përzgjedhjen e aktorëve, të cilët i përkasin të gjithë atij brezi të vjetër, të cilët në pak fjalë themeluan teatrin.
Mihallaq Luarasi: “Qëllimi i këtij spektakli është në radhë të parë që të nxjerrë edhe njëherë në skenë aktorët e mëdhenj, të moshës së tretë, që kanë edhe vite që nuk kanë dalë në skenë dhe me anë të kësaj shfaqje t’i japim publikut, shikuesit tonë një mesazh, që është mesazhi i jetës dhe i shpresës”.
Gazetarja: Çfarë do të thotë për një regjisor të punojë me aktorë të brezit të tretë, ose më saktë me ata që kanë themeluar, kanë bërë teatrin, filmin?
Mihallaq Luarasi: “Sigurisht, në rastin tim, kupton, do të thotë vetëm kaq, që unë punoj me bashkëmoshatarët e mijë, se dhe unë jam i një moshe me ta, që është një kënaqësi, me disa prej tyre kam vite që nuk kam punuar”.
Ngjarjet zhvillohen në një azil, ku trajtohet drama personale e të moshuarve, megjithatë, së shpejti publiku do të ketë rastin të zbulojë vetë gjithçka, pasi të ketë parë nga afër lojën mjeshtërore të figurave më të mëdha të skenës shqiptare./tvklan.al
Gazetare – Mira Kazhani