Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Pas një pushimi prej gati 15 ditësh, institucionet e kulturës shqiptare, i janë rikthyer sërish punës për të sjellë pranë publikut kryeqytetas aktivitetet kulturore dhe shfaqjet artistike. Kështu duke filluar që nga dita e nesërme në sallën e Teatrit Kombëtar, do të vihet sërish në skenë komedia “Stjuardesat”, realizuar nga trupa e teatrit privat Publimedia.
Në Teatrin e Operas dhe Baletit shfaqja që do të çel siparin e aktiviteteve për këtë vit, do të jetë baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”. Në kuadrin e stinës koncertore Alegretto Albania, në datën 10 Janar në Akademinë e Arteve të Bukura, do të vijnë në koncert dy instrumentistë të njohur italian, Mario Brunelo në violonçel dhe Andrea Lucezini për piano.
Ndërsa në Galerinë Kombëtare të Arteve do të vazhdojnë të ekspozohen punimet e ekspozitës “Onufri 2000”./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora