gripi i derritGripi i derrit është rikthyer në Shqipëri. Mjekë të Qendrës Spitalore Universitare, Nënë Tereza pohojne se një pacient po trajtohet prej fundjavës, por autoritetet nuk e konfirmojnë këtë.

Jashtë kamerave mjekët e Qendrës Spitalore thonë se pacienti është në gjendje të rënduar dhe po trajtohet me Tamiflu. Por drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë mohojnë që ai të jetë i prekur nga virusi i gripit të derrit apo që të ketë raste të tjera të konfirmuara me AH1N1.

Sipas tyre, pacienti në fjalë ka pësuar krizë pneumologjike, si pasojë e disa ndërhyrjeve kirurgjikale të mëparshme.

Por mjekët e Infektivit thonë se ka edhe 7 persona të tjerë që dyshohet se janë prekur nga AH1N1 dhe që janë shtruar në këtë repart prej fundjavës.

Në Institutin e Shëndetit Publik po kryhen analizat në 280 mostrave të dyshuara në të gjithë vendin.

Që nga dhjetori i vitit 2009, analizat për gripin e derrit kryhen në Shqipëri në laboratorin që ndodhet në Institutin e Shëndetit Publik, të çertifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Rezultatet e tyre dalin brenda 48 orësh, si në çdo vend të botës.

Kur gripi i derrit u shfaq për herë të parë në vitin 2009, autoritetet sensibilizuan opinionin publik dhe morën masa paraprake dhe shëndetesia rriti nivelin e alarmit. U shpërndanë mbi 20 mijë formularë dhe u përdorën mediat për të njoftuar publikun. Në pak kohë Tamiflu, ilaçi që përdoret kundër këtij virusi, u shpërnda në të gjitha spitalet e Shqipërisë, ndërkohë që nisi edhe vaksinimi i popullsisë. Por këtë vit, nga autoritetet nuk është folur për rrezikun e këtij virusi dhe as për vaksinimin kundër tij.

Më të ekspozuar ndaj gripit të derrit janë personat me sëmundje kronike, fëmijët, të moshuarit dhe kryesisht ata që kan imunitet të ulët.

Prej shpërthimit të këtij virusi, në Shqipëri janë shënuar të paktën 5 viktima, shifër kjo e ulët në krahasim me fqinjët apo vendet e tjera të Europës.