Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Ilir Gjoni, ish-ministër i Rendit aktualisht deputet i Kuvendit është rishfaqur në Parlament, pas një periudhe të gjatë mungese.
“Kam qenë gjithmonë i gatshëm për të deklaruar në prokurori apo në parlament, për çështjen e pasaportave, por nuk më është kërkuar zyrtarisht”. Kështu është shprehur Ilir Gjoni, duke e cilësuar arrestimin dhe dënimi e Himçit dhe Myftarit, me motive politike.
Ilir Gjoni:- “Zoti Himçi ka qenë bashkëpunëtori im më i ngushtë dhe bashkë me zotin Myftari, të dy kanë qenë nga njerëzit tek të cilët unë jam mbështetur dhe tek të cilët kam pasur dhe kam ende besim. Njerëz të cilët kanë punuar me dedikim dhe përkushtim, nga jeta e tyre personale, për përmirësimin e punës së Ministrisë së Rendit. Gjyqi i tyre dhe procesi është me shumë pikëpyetje për mendimin tim dhe në qoftë se doni të dini mendimin personal, ata për mua janë të pafajshëm”.
Gazetarja: Mendoni se ka pasur politizim në arrestimin flagrant, e më pas në trajtimin e procesit?
Ilir Gjoni:- “Ky është një mendimi im personal absolut, për mendimin tim, procesi i përgatitjes së pasaportës ka qenë një proces i vështirë, një proces i pa njohur për ekipin tonë, por duhet të keni një gjë parasysh, që niveli im, i Bujarit apo dhe i Veliut ishte një nivel drejtues politik dhe nuk hynte shumë në detajet teknike. Në qoftë se do të më kërkohej zyrtarisht nga institucionet përkatëse, kam qenë gjithmonë i gatshëm për të ardhur, sigurisht kërkesat kanë qenë nga një pjesë e opozitës, por nuk kanë qenë kërkesa zyrtare nga parlamenti, prokuroria dhe gjykata”.
Gazetarja: Është ndjerë mungesa juaj në parlament, jo vetëm nga një raport matematik, ku mungonte një deputet i mazhorancës, por edhe në lidhje me funksionin tuaj si ish-ministër i Rendit.
Ilir Gjoni:- “Jam me studime në Akademinë pasuniversitare të Marinës në SHBA, për çështje të sigurisë kombëtare dhe sigurisht jam larguar me lejen e grupit parlamentar dhe kryesisë së Kuvendit”.
Gazetarja: Keni ndërmend të ktheheni përfundimisht?
Ilir Gjoni:- “Studimet e mija përfundojnë në datën 24 Mars të vitit 2004, pra atë ditë unë diplomohem dhe në fund të muajit do kthehem”./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj