Bizneset e vogla dhe të mesme që nuk kanë mundësi të kreditohen nga bankat kanë një tjetër mundësi për të rritur financimet e tyre. Ministria e Ekonomisë brenda shtatorit parashikon të çojë për miratim në parlament projektligjin e ‘leasing’-ut financiar.

Anastas Angjeli: “Ligji i ‘leasing’-ut financiar është një gjë e re që vjen në ekonominë shqiptare dhe me sa duket janë pjekur kushtet që tashmë ‘leasing-u financiar’ të zhvillohet edhe në Shqipëri, aq më tepër që elemente të ‘leasing’-ut sot po zhvillohen nëpërmjet sistemit bankar duke shfrytëzuar hapësirat që ky legjislacion lejon.”

“Leasingmarrësi të marrë teknologjinë dhe linjën e duhur për të cilën ka nevojë dhe njëkohësisht të mund ta shlyejë këtë me këste për një periudhë të caktuar kohe, që mund të zgjasë në varësi të marrëveshjes së arritur midis palëve nga 10,15 dhe 20 vjet.”

Kompanitë e ‘leasing’-ut do të bëjnë të mundur të furnizojnë bizneset me mallrat e porositura pa kërkuar prej tyre garanci me interesa më të ulëta dhe brenda një kohe më të shkurtër. Ekspertët parashikojnë se blerja e makinave me ‘leasing’ do të jetë biznesi i parë i kësaj natyre në vend. Në të gjithë Evropën Juglindore bizneset blejnë me ‘leasing’ një kapital prej 40 miliardë dollarësh në vit. /tvklan.al