Rita Ora pohon se ka kaluar një vështirësi të madhe me shëndetin e saj, që e detyroi të kalonte një natë në spitalin e Budapestit muajin e kaluar dhe të anulonte koncertin e 27 Korrikut në Debrecen të Hungarisë.
Në një intervistë për median prestigjoze britanike The Sun, ylli i muzikës Pop me prejardhje shqiptare shprehet se ky problem me shëndetin e kishte trembur jashtë mase, por thotë se tashmë është shëruar plotësisht dhe nuk ka më shqetësime.
Megjithatë, 33-vjeçarja nuk pranoi të japë asnjë detaj se ç’lloj problemi e kishte shqetësuar kaq shumë një muaj më parë. Ajo u kërkoi falje fansave për anulimin e koncertit.
Pavarësisht këtyre vështirësive, Rita Ora ka vazhduar me turin e saj tepër angazhues – siç thotë – të koncerteve nëpër Europë, gjatë gjithë kësaj vere.
Flitet se vitin tjetër ajo mund të nxjerrë edhe një album të ri, të katërt të karrierës së saj, pas atij të vitit 2023 të titulluar “You and I” për të cilin ka thënë se është frymëzuar nga dashuria me bashkëshortin Taika Uaititi.
Tv Klan