Erkand Qerimaj po përgatitet çdo ditë në palestrën e re në Tiranë për botërorin e peshëngritjes. Ai thotë se këtë herë do të jetë një kompetocion tepër i fortë, pasi kthehen vende që zotërojnë këtë sport si Kina apo Rusia.
“Rivaliteti është më i madh, sepse do të ketë më shumë ekipe që do të marrin pjesë, shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.”
Përballë do të ketë me dhjetëra kundërshtarë dhe medalja do të jetë e vështirë sipas trajnerit Sokol Bishanaku.
“Të marrim sa më shumë pikë olimpike dhe të synojmë 8 vendet e para, duke parë deklarimet medalja është pak e vështirë. Në një peshë marrin pjesë mbi 50 sportistë.”
Erkandi është një nga 5 peshëngritësit që do të garojnë në Turkmenistan muajin e ardhshëm. Të gjithë kanë ndryshuar peshë dhe do të jetë një sfidë e re për ta. Stërvitja është në fazën e fundit me synimin që të marrin maksimumin në pedanë.
“Po mundohemi të kapim kilogramët maksimalë gradualisht”, tha Qerimaj.
Garat për shqiptarët do nisin me Arbër Çerçizin dhe Briken Çaljen më 4 Nëntor në peshën deri 73 kilogramë.
Tv Klan