Emërimi i Daniele de Rossi në pankinë ka transformuar totalisht Romën. Nga një skuadër që po rrezikonte gjithçka në këtë sezon, kryeqytetasit tashmë janë shndërruar në kërcënimin kryesor për rivalët në Serie A dhe jo vetëm. Roma mori 3 pikë të plota edhe ndaj Udinese, teksa në minutat e mbetura të takimit të shtyrë arriti të shënojë golin e fitores me shifrat 2-1.
Që prej 20 janarit të këtij viti, Roma e De Rossi ka regjistruar rezultate tepër pozitive për tu ngjitur në zonën Champions dhe u kualifikuar në gjysmëfinalet e Europa League.
Në 19 ndeshje në stolin e verdhekuqve, De Rossi ka shënuar 13 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje. Ecuri e kënaqshme pasi Roma e tij merr mesatarisht 2.2 pikë për çdo takim, teksa për herë të parë pas 4 vitesh ëndërron kualifikimin për në grupet e Champions League. Në takimin e luajtur në dy ditë të ndryshme, pas shtyrjes për shkak të gjendjes shëndetësore të Ndiçka, protagonist edhe Paulo Dibala.
Argjentinasi asistoi tek goli i Kristante për ta shndërruar Udinese në një nga pretë e tij të preferuar. Dybala ka shënuar 11 herë dhe asistuar 9, për tu bërë lojtari i dytë që përfshihet në të paktën 20 gola kundër friulanëve në 20 sezonet e fundit të Serie A.
Ritëm i kënaqshëm për ta vendosur krah legjendës Francesco Totti ndaj Parmës ndaj të cilët shënoi 13 herë dhe asistoi në 7 raste. Pas këtij 3 pikëshi Roma ka 4 pikë më shumë se Atalanta ndjekëse, por me Bergamaskët që kanë një takim më shumë për të luajtur.
Klan News