Romano Prodi është kthyer në Tiranë 7 muaj pas vizitës së tij të fundit, por tashmë jo më si kryeministër i vendit fqinj, apo president i Komisionit Europian, por si lektor për çështjet e integrimit europian të vendeve të Ballkanit dhe integrimin e Shqipërisë. Duke folur përpara studentëve dhe stafit pedagogjik të universitetit “Zoja e Këshillit Mirë” dhe të ftuarve special si kryeparlamentarja Topalli dhe ambasadori italian Saba D’Elia, zoti Prodi ka deklaruar se Bashkimi Europian nuk do të gjej paqe pa integrimin në të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në mënyrë të veçantë Shqipërisë.

Romano Prodi: “Është bërë e modës të dëgjojmë nga zyrtarë europianë të thonë se zgjerimi i kësaj familje me 27 anëtarë ka kosto të madhe financiare dhe politike. Unë personalisht ndaj një tjetër opinion. Për mua BE nuk ka për të qenë asnjëherë i plotë për sa kohë që në të nuk bëjnë pjesë vendet e rajonit të Ballkanit dhe jam i bindur se nuk do të ketë paqe pa përfunduar ky proces i zgjerimit europian”.

Njohës i mirë i të gjitha zhvillimeve të Shqipërisë dhe i pranishëm në situata të vështira për shqiptarët, ish-presidenti i KE mendon se më shumë se çdo vend tjetër integrimin në Europë e meriton Shqipëria.

Romano Prodi: “Vetëm 11 vjet pas vitit të mbrapsht për shqiptarët ’97-ës, vendi juaj ka zhvillim shumë të mirë ekonomik, qeveria shqiptare ka ecur përpara  me reformat që synojnë integrimin ndërsa vihet re se demokracia e brendshme është për t’u përshëndetur. Lehtësia me të cilën Shqipërisë ju bë ftesë për t’u bërë pjesë e NATO-s, tregon se ky vend po me të njëjtën lehtësi mund të pranohet në BE. Vendi juaj është një vend homogjen dhe ka më pak probleme se të gjithë vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. Është opinioni im personal dhe mendoj se e ndajnë edhe shumë njerëz të tjerë se Shqipëria duhet të pranohet në BE”.

Në të njëjtën linjë me Prodin është edhe kryeparlamentarja Topalli, e cila shprehet se ritmi i reformave po afron gjithnjë e më tepër datën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Jozefina Topalli: “Procesi i ratifikimit të MSA-së thënë thjeshtë është një përgjigje e vendeve të BE nëse e pranojnë apo jo Shqipërinë mes tyre në BE, pra ky ratifikim nuk ishte thjeshtë ratifikimi i një marrëveshje por ishte një ratifikim nëse mund ta quaj kështu i reformave, i përpjekjeve, i rezultateve dhe i sukseseve të Shqipërisë gjatë këtyre viteve”.

Vetëm pak ditë më parë zv/presidenti i KE, Ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini, deklaroi se progresi i Shqipërisë do të bëj të mundur që brenda viti 2009, shqiptarët të mund të udhëtojnë pa viza. Gjatë paradites  ish-kryeministri Italian Romao Prodi, është takuar dhe me Presidentin e Republikës Bamir Topi./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka

Operator: Metlin Kepi