Kuota e 1000 golave sa vjen e afrohet për Cristiano Ronaldon. Portugezi shënoi sërish këtë herë me fanellën e kombëtares për tu ngjitur në 906 gola të realizuar prej tij mes përfaqësueses dhe klubeve.

Një shifër e përmirësuar ndjeshëm nga 39-vjeçari, i cili kundër Polonisë shënoi golin e 133 në 215 ndeshje me luzitanët. Ronaldo ka shënuar në 87 ndeshje, ku Portugalia ka fituar 74 prej tyre.

Ata kanë barazuar gjashtë dhe kanë humbur shtatë sfida kur ylli i Al Nasër ka gjetur portën kundërshtare. Shifra brilante, ku sulmuesi ka shënuar dhjetë tregolësha me Portugalinë, duke përfshirë dy ndeshje me katër gola, 24 dopieta dhe 53 gola të tjerë të shënuar në një 90 minutësh.

Ronaldo u rikthye të shënojë në portën e Polonisë pas 17 vitesh, teksa preja e tij e preferuar mbetet Lituania me 11 gola të shënuar në përballjet me ta. Viti 2024 po konfirmohet si më i frytshmi për Ronaldon.

Gjatë këtij viti kalendarik, ai ka realizuar deri më tani 33 gola, që mund të rriten duke nisur nga sfida e radhës në Ligën e  Kombeve kundër Skocisë.

Klan News