Cristiano Ronaldo zhbllokoi rezultatin ndërsa Al Nassr mposhti Al Ettifaq 3-0 dhe i dha fitoren Stefano Piolit në ndeshjen e tij të parë si trajner i klubit.
Tekniku italian, i cili udhëhoqi Milanin në fitimin e titullit kampion të Serie A në 2022, mori detyrën pas largimit të Luis Castros. Trajneri portugez u shkarkua për shkak të rezultateve jo të mira, me vetëm një fitore në tri sfida në Ligën Profesioniste saudite.
Ronaldo që nuk ishte në fushë në barazimin 1-1 të Al-Nasr kundër irakianëve të Al-Shortas, për shkak të një infeksioni viral, u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11 metërshit në minutën e 33. Për sulmuesin portugez, ky është goli i tretë në këtë sezon.
Golat e tjerë të ekipit saudit u shënuan nga Salem Al Naxhi dhe Anderson Taliska. Al Nassr zotëroi topin në 55 të lojës, ndërsa e gjuajti portën kundërshtare 7 herë, ndërsa rivalët vetëm dy herë.
Në përfundim të takimit, portugezi pati reagim në rrjetet sociale.
“Pëpjekje e madhe e ekipit! Fitore e rëndësishme! Kjo është për fansat!”, ishte mesazhi i tij.
Humbja ishte e para këtë sezon për Al Ettifaq, por skuadra e drejtuar nga Steven Gerrard qëndron mbi Al Nassr në renditje.
Klan News