Hetuesit italianë marrin në pyetje 11-vjeçarin
“Nëna ime vdiq gjatë një bombardimi. Unë isha pranë saj, por shpëtova.”
Kjo është ajo çfarë ka rrëfyer mes lotësh Alvin Berisha para hetuesve italianë të Ros.
Në praninë e një psikologu, prokurorët italianë e morën në pyetje 11-vjeçarin shqiptar, duke u përpjekur të merrnin sa më shumë informacione, por Alvini nuk ishte në gjendje të jepte shume detaje.
Për kohën se kur vdiq e ëma, ai ka treguar se i kujtohej vetëm se ishte një ditë shumë e nxehtë dhe se ishin në një kamp tjetër, jo në Al Hol.
Mediat italiane shkruajnë se Alvin do t’i nënshtrohet brenda pak ditëve një operacioni në këmbën e plagosur gjatë bombardimit, pas së cilit do të jetë e mundur edhe të kuptohet se kur ka ndodhur shpërthimi.
Veç dëmtimeve fizike, psikologët kanë arritur në përfundimin se ai është ende në gjendje të rëndë shoku, për shkak të traumës emotive që ka pësuar.
Prokurorët do të presin që vogëlushi të rikuperohet fizikisht dhe emocionalisht për ta pyetur sërish për çdo gjë ka parë gjatë këtyre viteve në Siri.
11-vjeçari duket se tashmë po shijon jetën e re dhe ndryshimi është i qartë siç duket edhe në këtë foto.
Tv Klan