Igli është një ish i dënuar që ndan me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan një rrëfim aspak të lehtë. Prej moshës 15-vjeçare, pasi vendosi mos të jetonte më me gjyshen e dajën, ai u vendos në një garazh. Miqësitë jo të duhura dhe mendimi se mund të siguronte ca para për të hapur studion e tij muzikore, e bënë të niste shitjen e lëndëve narkotike në moshën 18-vjeçare.
Më pas, kur ishte 20 vjeç, u arrestua dhe vuajti dënimin për 8 vjet. Në rrëfimin e tij, Igli tregon detaje nga aktiviteti që ai bënte. Ai thotë se kishte prindër që dërgonin fëmijët për të blerë lëndën narkotike duke shokuar Gjebrean dhe publikun.
Ardit Gjebrea: Kujt ia shisje drogën?
Igli: Çdo lloj personi që vinte e merrte.
Ardit Gjebrea: Edhe fëmijëve? Adoleshentëve nën moshë?
Igli: Ka pasur nga ata që i dërgonin prindërit e vet fëmijën për të ardhur e për të blerë. Ndoshta juve mund t’ju duket e pabesueshme, por s’jam këtu për të thënë gjëra që nuk janë të vërteta.
Ardit Gjebrea: Prindi dërgonte fëmijën që të blinte lëndë narkotike?
Igli: Po. Kjo ndodh akoma.
Ardit Gjebrea: Më duket absurde!
Igli: Është absurde! Ka qenë absurde edhe për mua që e kam bërë dhe prandaj jam sot këtu.
Ardit Gjebrea: Dhe sa në ditë ishin të tillë?
Igli: Kishte, pa frikë te 100 fëmijë, 200 fëmijë. Jo në ditë, gjatë javës.
Ardit Gjebrea: Edhe në javë, 100 fëmijë?! Çfarë po thua?!
Igli: Po them nga mosha 15-18 vjeç.
Ardit Gjebrea: Jo more!
Igli: Unë gjatë asaj moshe kam qenë edhe i vogël, kupton? Ishin moshatarët e mi.
Ardit Gjebrea: Po në ditë sa blerës kishe? Jo vetëm fëmijë, por edhe të rritur.
Igli: Kam arritur të shes 1 kile e 200 gram për një ditë.
Ardit Gjebrea: Sa njerëz? Se nuk di ta bëj llogarinë, realisht.
Igli: Mund të vijnë diku te 800 veta në ditë.
Ardit Gjebrea: Jo more!
Igli: 800 veta në ditë. Do ta bëj llogarinë këtu?
Ardit Gjebrea: Bëje.
Igli: 800 qese nga 5 mijë lekë, sa i bie?
Ardit Gjebrea: 4 milionë lekë të vjetra?
Igli: Ashtu de! 1 kile i thonë 800 qese ose 400. 400 bëhen kur shitet me 10.
Ardit Gjebrea: Ku i çoje gjithë këto para njëherë?
Igli: Unë kam punuar për dikë tjetër, s’kam punuar për vete. Për arsye se unë flija në garazh, dikush erdhi më ofroi shtëpinë, më ofroi mundësinë për të punuar dhe për të mbledhur lekë. M’u duk mundësi e mirë. Thosha do mbledh lekët, do filloj të bëj studion por s’ia arrita kurrë.
Ardit Gjebrea: Po sa jepje dhe sa mbaje për vete?
Igli: Unë arrija të fitoja për vete diku te 150-200 mijë lekë në ditë. Pjesa tjetër i takonte personave në fjalë./tvklan.al