Enkelejda Arapi: “Ky është një nga produktet e  shumta, i cili tregtohet pa etiketën, pa cilësinë dhe standardet e kërkuara dhe sikur të mos mjaftonte kjo, tregtohet në rrugë në mes të vapës dhe pluhurit.”

Duket se Gripi i Derrit nuk është e vetmja epidemi që kërcënon jetën e qytetareve në vend. Në tregjet e qytetit bregdetar, i dyti në vend për nga numri i popullsisë, mund të gjesh me  shumicë produkte që nuk përmbushin asnjë prej standardeve të cilësisë. Siç duket edhe nga këto pamje, qumështi dhe nënproduktet e tij jo vetëm që tregtohen në ambiente të hapura, por ato  nuk janë të pajisura me asnjë etikete që mund të tregojë subjektin prodhues, vendin e origjinës, datën e skadencës apo dhe vlerat ushqyese. Situata vijon të jetë problematike edhe pas zbatimit të skemës për kontrollin e tregjeve gjatë sezonit veror nga Ministria e Bujqësisë .

Jonuz Tafili: “Janë ushtruar gjithsej të 2888 kontrolle nga grupet e kontrollit në terren. I është dhënë shumë rëndësi këtij momenti deri tek gjobitja e atyre subjekteve të cilët e kanë vazhduar këtë metodë pune.”

Statistikat nga Instituti i Kalibrimit bëjnë fjalë për 3.2 ton ushqime të bllokuara. Por faktet në terren tregojnë se tonelata të tjera produktesh ushqimore vazhdojnë të shiten në një pjese të madhe të pikave tregtare. Qytetarët akuzojnë inspektorët për tolerancë ndaj këtij fenomeni, por ata vetë bëhen pjesë apo nxitës të tij, duke blerë të tilla produkte.

“Po na zuri na zuri, s’na zuri në dorë të zotit jemi.”

“Policia bashkiake ti ndaloj.”

“Një herë në tre muaj të bëhet gjilpëra lopës.”

“Unë e jap qumështin, mere mos mi jep lekët. Vjen nesër tjetri.”

“Ne si shqiptar kemi krijuar atë imunitetin edhe i përballojmë këto kushte.”

“Po të rregullohet çdo gjë atëherë konsumatori është i mbrojtur.”

“Rrezikon po s’kemi ç’bëjmë këtë situatë po jetojmë.”

Rastet e helmimeve nga ushqimet ne spitalin e Durrësit gjatë kësaj vere kanë qenë disa herë më të larta se një vit më parë.

Hashim Zogu: “Janë paraqitur shumë raste siç i themi ne me çrregullime, siç i themi ne  gastrointestinale. Me të vjella dhe heqje barku. Një në 3-4 ditë të shtruar dhe në infektiv.”

Sipas autoritete shëndetësore kjo vjen pikërisht nga cilësia e ulët e ushqimeve dhe mungesa e kujdesit gjatë konsumit të tyre./tvklan.al

Gazetarja Enkelejda Arapi