Gazetarja: “Ky është një nga produktet e shumta, i cili tregtohet pa etiketën, pa cilësinë dhe standardet e kërkuara. E sikur të mos mjaftonte kjo ai tregtohet në rrugë në mes të vapës dhe pluhurit”.

Duket se gripi i derrit nuk është e vetmja epidemi që kërcënon jetën e qytetarëve në vend.

Në tregjet e qytetit bregdetar, i dyti në vend për nga numri i popullsisë, mund të gjesh me shumicë produkte që nuk përmbushin asnjë prej standardeve të cilësisë.

Siç duket edhe nga këto pamje qumështi dhe nënproduktet e tij jo vetëm që tregtohen në ambiente të hapura, por ato nuk janë të pajisura me asnjë etiketë që mund të tregojë subjektin prodhues, vendin e origjinës, datën e skadencës, apo edhe vlerat ushqyese.

Situata vijon të jetë problematike dhe pas zbatimit të skemës për kontrollin e tregjeve gjatë sezonit veror nga Ministria e Drejtësisë.

Jonuz Tafili: “Janë ushtruar gjithsej 2888 kontrolle nga grupet e kontrollit në terren. I është dhënë shumë rëndësi këtij momenti deri tek gjobitja e atyre subjekteve, të cilët e kanë vazhduar këtë metodë pune.”

Statistika nga Instituti i Kalibrimit bëjnë fjalë për 3.2 ton ushqime të bllokuara, por faktet në terren tregojnë se tonelata të tjera produktesh ushqimore vazhdojnë të shiten në një pjesë të madhe të pikave tregtare.

Qytetarët akuzojnë inspektorët për tolerancë ndaj këtij fenomeni, por ata vetë bëhen pjesë apo nxitës e tij duke blerë të tilla produkte.

“Po na zuri, na zuri. S’na zuri në dorë të Zotit jemi”.

“Policia bashkiake t’i ndalojë”.

“Një herë në tre muaj të bëhet gjilpëra…”.

“Unë e jap qumështin, merre mos më jep lekët. Vjen nesër tjetri”.

“Ne si shqiptarë kemi krijuar atë imunitetin dhe që t’i përballojmë këto kushtet”.

“Po të kontrollohet çdo gjë atëherë konsumatori është i mbrojtur”.

“Rrezikon po s’kemi ç’bëjmë. Këtë situatë po jetojmë”.

Rastet e helmimeve nga ushqimet në spitalin e Durrësit gjatë kësaj vere kanë qenë disa herë më të larta se një vit më parë.

Hashim Zogu: “Janë paraqitur shumë raste me çrregullime, siç i themi ne, gastrointestinale. Me të vjella dhe heqje barku. Një tre në katër ditë është shtruar dhe në infektiv”.

Sipas autoriteteve shëndetësore kjo vjen pikërisht nga cilësia e ulët e ushqimeve dhe mungesa e kujdesit gjatë konsumit të tyre./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle