Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Për më se 4 orë, popullsia çame protestoi para Parlamentit me parulla në duar dhe me brohoritje, si votoni rezolutën. “Po shitët Çamërinë, keni shitur Shqipërinë”, apo “Deputetë shqiptarë, mos u bëni tradhtarë”. Por asnjë nga këto thirrje nuk u dëgjua në sallën e Kuvendit, ku më në fund u votua projektrezoluta për çështjen çame.

Servet Pëllumbi: “Pra 53 pro, 4 kundër, 55 abstenim, nuk miratohet”.

Rezoluta për çështjen çame, u rrëzua në Kuvend nga 55 votat kundër të mazhorancës qeverisëse, me argumentimin se miratimi i kësaj rezolute nuk do të sillte zgjidhje të çështjes çame. Grupet parlamentare të opozitës votuan në grup pro kësaj rezolute, po kështu vepruan dhe disa deputetë socialistë.

Rrëzimi i rezolutës, shkaktoi tension në radhët e protestuesve. Brohoritjet e mëparshme u shndërruan në sharje dhe fyerje ndaj deputetëve të PS dhe PBDNJ. Të irrituar çamët kërkuan të kapërcenin telat me gjemba për të depërtuar brenda Kuvendit. Për të ruajtur nën kontroll situatën, u shtuan forcat e policisë dhe të Gardës së Republikës.

Shoqata politike atdhetare Çamëria njoftoi, se protestat do të vijojnë përpara ambasadave, institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë, si dhe jashtë atdheut, aty ku shoqata Çamëria, ka selitë e saj./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj